Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Bocan-Kharchenko, ka deklaruar se vendosja e sanksioneve nga Serbia ndaj Moskës do të çonte automatikisht në ndërprerjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në një intervistë për RTS, diplomati rus theksoi se nëse një vend i bashkohet regjimit të sanksioneve kundër Rusisë, atëherë bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë.
“Sanksionet e pezullojnë automatikisht bashkëpunimin. Kjo nuk varet nga dëshirat e Moskës”, u shpreh ai, duke shtuar se Rusia dëshiron që marrëdhëniet me Serbinë të vazhdojnë dhe të zhvillohen.
Bocan-Kharchenko pranoi se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë në rënie, por theksoi se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Sipas tij, Serbia përballet me vështirësi në transport, logjistikë dhe financa, pasi është e rrethuar nga vende që mbështesin regjimin e sanksioneve kundër Moskës.
Ambasadori rus u ndal edhe te bashkëpunimi energjetik, duke theksuar se Serbia vazhdon të ketë furnizim të qëndrueshëm me gaz rus me një çmim shumë më të ulët krahasuar me tregun evropian.
Duke komentuar edhe zhvillimet në Ukrainë, ai deklaroi se pengesa për arritjen e paqes, sipas Moskës, ndodhet në anën ukrainase dhe se Rusia nuk do të pranojë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë.
