Rusia teston sistemin kombëtar të alarmit, sirenat bien në të gjitha zonat kohore mes tensioneve globale

Data

Rusia ka zhvilluar një testim të gjerë të sistemit kombëtar të paralajmërimit për emergjenca, duke aktivizuar sirenat e alarmit në të gjitha 11 zonat kohore të vendit.

Testimi u krye nga Ministria ruse e Situatave të Emergjencave, e cila sqaroi se qëllimi i këtij sistemi është informimi i shpejtë i popullsisë në rast të rreziqeve të ndryshme, si fatkeqësitë natyrore apo situatat e krijuara nga njeriu, përfshirë edhe konflikte të mundshme ushtarake.

Gjatë ushtrimit, autoritetet u kërkuan qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet përmes televizionit dhe radios.

Në qytetin e Jekaterinburgut, një stacion televiziv ndërpreu programin e zakonshëm për të transmetuar një mesazh zyrtar ku njoftohej se po zhvillohej një test i sistemit të njoftimit publik.

Sipas autoriteteve ruse, bëhet fjalë për një kontroll rutinë të funksionimit të sistemit të alarmit. Megjithatë, testimi vjen në një moment kur tensionet gjeopolitike janë rritur ndjeshëm, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Në këtë klimë pasigurie, media ruse dhe komentatorë të afërt me Kremlinin kanë përmendur shpesh rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve ndërkombëtare, duke e lidhur atë me përplasjet mes fuqive të mëdha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related