Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte në qendër të diskutimeve gjatë mbledhjes së komitetit drejtues të projektit EU4LawEnforcement, që u zhvillua në Tiranë.
Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve shqiptare, të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të shqyrtuar ecurinë e projektit dhe për të diskutuar planin e ardhshëm të veprimit.
Në tryezë ishte i pranishëm edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ndërsa u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hetimeve financiare kundër rrjeteve kriminale.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se projekti EU4LawEnforcement ka një mandat të gjerë për të forcuar kapacitetet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas tij, me mbështetjen e këtij projekti pritet finalizimi i Strategjisë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar dhe funksionalizimi i Zyrës së Rikuperimit të Pasurive.
“Funksionimi i kësaj zyre është thelbësor për hetime financiare të suksesshme. Ajo është një gur themeli i vizionit tonë të përbashkët për të çrrënjosur krimin e organizuar duke goditur interesat ekonomike dhe financiare të rrjeteve kriminale”, u shpreh Gonzato.
Takimi u fokusua gjithashtu në rritjen e bashkëpunimit operacional mes institucioneve të zbatimit të ligjit dhe në përmirësimin e mekanizmave për sekuestrimin dhe rikuperimin e pasurive të përfituara nga aktivitetet kriminale.
