Trafik kokaine nga Kolumbia drejt Shqipërisë, SPAK zgjeron hetimet dhe identifikon 15 persona të përfshirë

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimet për një tjetër episod të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit në kuadër të procedimit penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, që lidhet me një rrjet të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Më 4 mars 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për pesë persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal.

Një ditë më pas, më 5 mars, Policia e Shtetit ekzekutoi masën e sigurisë për tre persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas SPAK, hetimet lidhen me trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë kokainë, e cila ishte importuar nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial. Droga u sekuestrua më 24 nëntor 2022 në Frakull të Madhe të Fierit.

Për këtë episod janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë, ndërsa një shtetas kolumbian vijon të jetë në proces gjykimi.

Në vijim të hetimeve, prokuroria ka identifikuar edhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar si pjesë e aktivitetit kriminal.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesa dhe automjete janë sekuestruar disa mjete luksoze të tipit Land Rover dhe dy telefona celularë.

SPAK njoftoi se hetimet do të vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Prokuroria e Posaçme falënderoi gjithashtu autoritetet e drejtësisë në Mal të Zi dhe Kolumbi, si dhe strukturat ndërkombëtare Eurojust dhe Europol për bashkëpunimin në këtë çështje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related