Tragjedi në Bolzano, humb jetën 46-vjeçarja shqiptare, u përplas nga kamioni teksa shkonte në punë me biçikletë

Data

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Bolzano, ku 46-vjeçarja shqiptare Amila Kurçani ka humbur jetën pasi u përplas nga një kamion teksa po shkonte në punë me biçikletë.

Aksidenti ndodhi mëngjesin e 29 prillit në rrugën “Via Vittorio Veneto”, ku sipas mediave italiane, Kurçani po lëvizte në të njëjtin drejtim me kamionin kur u godit dhe më pas u tërhoq për disa metra nga mjeti.

Ndihma e parë iu dha nga një mjeke që ndodhej rastësisht në vendngjarje, e cila u përpoq ta mbante në jetë deri në mbërritjen e ambulancës, por fatkeqësisht pa sukses. Alarmi në numrin e emergjencës 112 u dha rreth orës 08:10, ndërsa në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe policia.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa po verifikohen edhe kamerat e sigurisë në zonë. Ndaj drejtuesit të kamionit pritet të ngrihet akuzë për “vrasje nga pakujdesia në rrugë”.

Amila Kurçani kishte vite që jetonte dhe punonte në Itali. Që prej vitit 2011 ajo ishte pjesë e stafit të enotekës “Banco 11”, ku fillimisht kishte punuar si pastruese dhe më pas pas banakut.

Pronarët e lokalit, Birgitta Puustinen dhe Roberto Bernardi, e përshkruajnë si një person të përkushtuar dhe të dashur: “Ishte pjesë e familjes sonë. Një njeri i thjeshtë, gjithmonë e gatshme për të ndihmuar”.

Tragjedia është edhe më e rëndë për faktin se vetëm një javë më parë ajo kishte festuar 46-vjetorin me familjen dhe kolegët. Ajo lë pas një vajzë 20-vjeçare dhe prindërit, për të cilët kujdesej.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Bolzano, ndërsa ka rikthyer në vëmendje edhe problemet me sigurinë rrugore në segmentin ku ndodhi aksidenti, veçanërisht për çiklistët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related