Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, paralajmëroi para disa ditësh se do të nisë një proces i thellë hetimor, ndaj magjistratëve që nuk kanë kaluar procesin e vetingut, ku në sitë do të futen të gjitha vendimet e marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Por ajo që kaloi në heshtje ishte shqetësimi që ngriti Dumani për gjyqtarët e prokurorët që janë në sistem, pasi sipas tij, ka premisa që kryejnë akte korruptive. “Kemi një numër të madh subjektesh që kemi ushtruar ndjekjen penale. Do vazhdojmë ta bëjmë sa herë kemi indicie.
Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin. Fokusi ynë dhe kjo pjesë e prokurorëve. Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Kemi detyrë të ushtrojmë ndjekjen penale”, u shpreh Dumani. Kreu i SPAK theksoi se institucioni që drejton ka ushtruar ndjekje penale ndaj shumë gjyqtarëve në të gjitha nivelet e gjykatave. Në rastet e korrupsionit të gjyqtarëve, SPAK ka përdorur edhe përgjimin si mjet, por për veprën penale 257 a përgjimi nuk lejohet. Tashmë do të futen të gjithë në skaner. Gazeta “SOT” bëri një kërkim dhe rezulton se vetingun e kanë kaluar me sukses 358 magjistratë, nga të cilët 165 gjyqtarë, 163 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 26 ndihmës/këshilltarë ligjorë.
Vetingu, një garanci e mangët?
Në vitet e fundit, procesi i vetingut ka qenë një nga mekanizmat kryesorë të pastrimit të sistemit të drejtësisë nga elementet e korruptuar. Ky proces ka shqyrtuar pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të siguruar që ata të jenë të pastër nga çdo dyshim lidhur me veprimtarinë e tyre. Megjithatë, edhe pse ky proces është një hap i rëndësishëm, nuk është i mjaftueshëm për të garantuar një sistem të drejtësisë të plotë dhe të pastër. Disa gjyqtarë dhe prokurorë që mund të kenë kaluar vetingun nuk do të thotë se janë të pakorruptueshëm. Emrat “VIP” që po goditen nga SPAK nuk e kanë problem të hedhin shuma marramendëse parash.
Lidhjet me krimin dhe ndikimi i korrupsionit
Gjithashtu, një nga shqetësimet kryesore që Dumani ka ngritur është mundësia që disa individë të përfshirë në drejtësi të kenë lidhje me grupe kriminale. Ky faktor mund të ndikojë në mënyrën se si ata marrin vendime, përfshirë çështje të rëndësishme që mund të lidhen me korrupsionin apo krimin e organizuar. Kjo mund të çojë në vendime të padrejta ose të manipuluara, të cilat kanë pasoja të rënda për besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.
Lidhjet e mundshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve me grupe kriminale janë një sfidë e madhe për organet e drejtësisë. Përgjimet e “SKY ECC” që kanë implikuar një pjesë të sistemit të drejtësisë janë prova e fortë që kanë në duar prokurorët specialë. Kështu që përpara kësaj situate të brishtë, Dumani ka theksuar se është e domosdoshme që çdo dyshim për këto lidhje të hetohet dhe të ndiqet me rigorozitet nga SPAK, për të mbrojtur sistemin e drejtësisë dhe për të parandaluar që ata që janë të pastruar nga vetingu të kthehen në aktorë të mundshëm të korrupsionit.
