Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Hungari, duke uruar liderin e opozitës Péter Magyar për fitoren e tij.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kurti vlerësoi mbështetjen që qytetarët hungarezë i kanë dhënë vlerave të Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova e mirëpret një bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e re në Budapest.
“Urime Péter Magyar për fitoren e tij në zgjedhje në Hungari. Kosova mirëpret mbështetjen e popullit hungarez për vlerat e Bashkimit Evropian dhe mezi presim të punojmë së bashku”, shkroi ai.
Sipas rezultateve paraprake, partia “Tisza” e Magyar është në rrugë për të siguruar një shumicë të fortë parlamentare, ndërsa partia në pushtet e Viktor Orbán pritet të pësojë humbje të ndjeshme pas 16 vitesh në qeverisje.
Procesi i numërimit të votave vijon ende, përfshirë edhe votat nga diaspora dhe ato jashtë vendbanimeve zyrtare, por trendi i rezultatit tashmë sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm politik në Hungari.
Fitorja e opozitës është parë gjerësisht si një kthesë drejt një orientimi më të fortë pro-evropian të vendit, duke nxitur reagime pozitive nga liderë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
