Albin Kurti “përzë” Edi Ramën nga ceremonia e çlirimit të Kosovës, plas lufta e ftohtë mes kryeministrit kosovar dhe atij të Shqipërisë, Erdogan “mollë sherri”

Data

Mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe liderit kosovar Albin Kurti ka plasur një luftë e ftohtë. Situata ka arritur deri aty sa dy politikanët nuk e kanë takuar njëri-tjetrin. Rama vizitoi Prishtinën të hënën, por nuk e takoi Kurtin. Nga ana tjetër, lideri kosovar nuk e ftoi kryeministrin shqiptar me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Albin Kurti ka pritur dje vetëm Presidentin Begaj. E gjithë kjo përplasje e tyre, në mediat greke, por edhe ato serbe po shihet si një luftë se kush është lideri kryesor i të gjithë shqiptarëve. Benzin zjarrit mund t’i ketë hedhur edhe Erdogan. Gazeta shkroi pak ditë më parë se Albin Kurti i “rrëmbeu” Edi Ramës dhe presidentin turk. U bë kohë që kryeministri Rama po injorohet nga Erdogan, madje ai ka anuluar dhe vizitat e tij në Shqipëri. Marrëdhënia mes tyre është ftohur, sa Erdogan as nuk e ftoi Edi Ramën kur u zhvillua ceremonia e betimit të tij si president vitin e kaluar. Lideri turk ka pasur influencë të madhe në vendin tonë, madje Rama e tregonte sa herë t’i jepej mundësia miqësinë që ka me Erdogan. Por situata është përmbysur dhe vendin e tij mesa duket e ka zënë Kurti, pasi ai zhvilloi disa ditë më parë një takim shumë të suksesshëm në Turqi. Që pas atij takimi, Rama filloi ta godasë hapur Kurtin duke thënë se rrezikon të mbetet pa miq nëse përdor politikën e jashtme për të marrë vota brenda vendit.

Shkrimi në mediat serbe

Përplasjen mes Kurtit dhe Ramës e ka evidentuar dhe media serbe Danas. Dje në artikullin e tyre shkruhej, se Rama dhe Kurti kanë një konflikt të natyrës personale dhe politike. Sipas Danas, në thelbin e konfliktit mes Ramës dhe Kurtit është një “luftë për supremaci, pra kush do të jetë lideri shqiptar”, pasi të dy kryeministrat e shohin veten si liderët kryesorë mbarëshqiptarë. Politologu Ogjnjen Gogiç është shprehur se deri sa të kristalizohen marrëdhëniet hierarkike mes tyre, ndoshta nuk mund të priten takime të ndërsjella dhe mesazhe të ndryshme mes tyre. Ai komentoi kështu faktin se kryeministri i Shqipërisë ka vizituar Prishtinën të hënën, por nuk është takuar me Kurtin. Rama nuk ishte as në ngjarjen që shënoi përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit atë ditë dhe Gogiç thotë se kjo tregon ndër të tjera se nuk ka dashur të marrë pjesë në “triumfin e Kurtit”, sepse Kurti “doli në skenë” në ky tubim dhe dërgoi mesazhe mbarëshqiptare. Siç thotë ai, Rama dhe Kurti ndahen në shumë gjëra, e njëra prej tyre është se Rama donte të kishte një rol të caktuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç kishte në kohën kur Hashim Thaçi drejtonte negociatat nga ana e Kosovës. “Por Kurti nuk e dëshiron këtë. Ai nuk dëshiron që Rama të përfshihet, por se është vetëm Prishtina që i përcakton kushtet e dialogut me Beogradin pa rolin e madh të Ramës. Kësaj Rama iu përgjigj në mënyrën e tij, duke tentuar ta margjinalizojë Kurtin duke bërë vetë një draft të statutit të Asociacionit, duke folur për çështjen, por edhe për marrëveshjet si ajo franko-gjermane dhe në përgjithësi kritikoi politikën dhe qasjen e Kurtit në dialog”, tha Gogiç. Kurti, shton ai, nuk është pa përgjegjësi për marrëdhënien siç ekziston, sepse dikur ai drejtoi një fushatë kundër Ramës në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, në të cilat kishte kandidatët e tij dhe mes tyre kishte edhe mosmarrëveshje për sa i përket Ballkanit të Hapur, një nga propozuesit kryesorë të së cilës ishte Rama, ndërsa Kurti ishte kundërshtar i nismës. “Marrëdhënia mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilët kanë një lloj partneriteti që Kosova kurrë nuk e ka parë me miratim dhe gjithmonë ka pasur frikë se do të margjinalizohet, është gjithashtu e diskutueshme në marrëdhëniet e tyre. Po ashtu Rama ishte në marrëdhënie shumë të mira me Hashim Thaçin. Rama e ka përkrahur Thaçin gjatë negociatave me Beogradin dhe një herë e ka vizituar Thaçin në paraburgim në Hagë, gjë që Kurti e ka parë si sulm ndaj vetes, pasi kundërshtari kryesor politik i rivalit të Kurtit ishte Hashim Thaçi”, thotë Gogiç.

Shkrimi në median greke

Pak ditë më parë edhe media greke “Kathimerini” u ndal te konflikti i Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Në artikullin e tyre thuhej se Rama dhe Kurti janë në garë për rolin e “liderit” shqiptar, në një betejë për dominim mbi elementin shqiptar që nuk mund të mos ketë ndikim edhe në zhvillimet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. “Përplasja shqiptare se kush do të jetë babai kombëtar i gjashtë milionë shqiptarëve është duke u zhvilluar në trekëndëshin Tiranë – Prishtinë – Tetovë. Rama dhe Kurti janë në garë për rolin e “liderit” shqiptar, në një betejë për dominim mbi elementin shqiptar që nuk mund të mos ketë ndikim edhe në zhvillimet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhej ndër të tjera në shkrimin e  tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related