Televizioni publik gjerman ZDF i ka kushtuar një kronikë protestës së zhvilluar më 17 prill në Tiranë, duke vënë në fokus përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si dhe akuzat politike të opozitës.
Sipas raportimit të ZDF, protesta e organizuar nga opozita kishte në qendër akuzat për korrupsion ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kërkesën për dorëheqjen e tij.
Televizioni gjerman thekson se gjatë protestës situata u përshkallëzua në përleshje, ndërsa policia ndërhyri për të shpërndarë turmën duke përdorur mjete si ujëhedhës dhe sprej piper.
Nga ana tjetër, sipas kronikës, protestuesit reaguan duke hedhur mjete zjarrvënëse drejt godinës së qeverisë, çka çoi në rritjen e tensioneve në kryeqytet.
Raportimi i ZDF e paraqet situatën si një përballje të fortë politike në Shqipëri, ku opozita vazhdon të kundërshtojë qeverinë dhe të kërkojë ndryshime, ndërsa autoritetet përpiqen të ruajnë rendin publik.
Pasqyrimi nga një prej televizioneve më të mëdha në Gjermani tregon se zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri po ndiqen me vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare.
