Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka theksuar rolin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian, gjatë ceremonisë së betimit të drejtorit të ri, Skënder Hita.
Në fjalën e saj hapëse, Koçiu u shpreh se emërimi i Hitës në krye të Policisë është një shembull i avancimit përmes meritës dhe karrierës brenda strukturave shtetërore.
Ajo theksoi se një nga detyrat kryesore të drejtuesit të ri do të jetë forcimi i standardeve të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar këtë institucion si një nga më të rëndësishmit për funksionimin e shtetit.
Sipas Koçiut, roli i Policisë është thelbësor jo vetëm për garantimin e rendit dhe sigurisë, por edhe për përmbushjen e kritereve që lidhen me procesin e integrimit europian.
Ceremonia e betimit të drejtorit të ri vjen në një moment kur institucionet e sigurisë janë në fokus të reformave dhe pritshmërive për rritjen e standardeve në përputhje me kërkesat e BE-së.
