Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ngritur alarmin për një suplement ushqimor me origjinë nga Gjermania, pasi në produkt është konstatuar prania e bakterit “Salmonella spp”, që konsiderohet rrezik serioz për shëndetin e njeriut.
Bëhet fjalë për suplementin “Moringa organic”, pjesë e kategorisë së ushqimeve dietike dhe suplementeve ushqimore, për të cilin Shqipëria është njoftuar nga sistemi europian RASFF.
Sipas të dhënave të publikuara nga AKU, produkti mban lotin “C 12105” dhe datë skadence 28.06.2028. Sasia e importuar në Shqipëri ka qenë 12 njësi nga 125 gram secila.
Operatori eksportues rezulton kompania DRASANVI, SL, ndërsa importues në Shqipëri është “Espana Pharm” sh.p.k.
Nga kontrollet e kryera në terren, AKU bëri me dije se në subjekt janë gjetur ende 6 njësi të produktit, të cilat janë bllokuar me destinacion asgjësimin. Pjesa tjetër rezulton të jetë shitur te konsumatorët.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë suplement, të mos e përdorin dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes.
“AKU bën thirrje që nëse konsumatorët e kanë në gjendje këtë produkt ta kthejnë pranë pikave ku e kanë blerë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Institucioni sqaroi gjithashtu se operatori i biznesit ushqimor ka afishuar njoftimet përkatëse në pikat e tregtimit të produktit.
