Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rritjes së ndjeshme të prurjeve ujore, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara në kaskadën e Drinit. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka sqaruar se ndërhyrjet po kryhen për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar rreziqe të mundshme.
Sipas njoftimit, shkarkimet po realizohen nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, ku aktualisht po lirohet një sasi prej rreth 700 metra kub ujë në sekondë, përveç prurjeve që përdoren për prodhimin e energjisë. Procesi, sipas autoriteteve, po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga specialistët e hidrocentraleve.
Bashkia Shkodër ndodhet në koordinim të plotë me strukturat përgjegjëse për energjinë, me qëllim menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e banuara përgjatë basenit të Drinit.
Deri në këto momente, autoritetet bëjnë me dije se nuk është evidentuar asnjë problematikë në territor, ndërsa situata po ndiqet nga afër në varësi të vijimësisë së reshjeve dhe shtimit të prurjeve.
