Në të dhënat zyrtare të Bashkisë së Tiranës, që u pasqyruan në një raport monitorimi për 8-mujorin 2024, vihet re se nga 17 miliardë lekë (170 milionë euro) të planifikuara për t’u investuar në 8-mujor janë realizuar vetëm 4,6 miliardë lekë (46 milionë euro) ose 25% e planit të periudhës.
Realizimi i dobët ka ardhur në një kohë që Bashkia ka arkëtuar të ardhura rekord, si rrjedhojë e taksës së infrastrukturës. Vetëm nga kjo taksë për 8-mujorin u mblodhën 9.3 miliardë lekë (dyfishi i parashikimit), që zuri 52% të të ardhurave totale.
Realizimi nga të gjitha burimet e financimit kundrejt planeve 8-mujore për shpenzimet e personelit është 82%, shpenzimet operative me 57% dhe shpenzimet kapitale me 25%.
Siç argumentohet në raportin e monitorimit, realizimi i ulët kryesisht për shpenzimet kapitale, ka si arsye kryesore rishikimin e kostove për objekte ekzistuese në buxhetin e vitit 2023, si pasojë e hyrjes në fuqi, gjatë muajit nëntor 2023, të VKM-së Nr.216 datë 13.04.2023 “Për krijimin dhe funksionimin e sistemit të integruar për informatizimin e manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim”.
