Partia Demokratike ka ngritur alarmin mbi atë që e quan një “kapje” të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nga biznesmeni Ermal Beqiraj, pronari i Soft & Solution shpk. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka bërë dje thirrje që SPAK të nisë një hetim të thelluar mbi procedurat e tenderave dhe financimet e këtij institucioni që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj.
Tenderi i dyshimtë i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile
Në qershor 2024, AKSHI shpalli një procedurë prokurimi për përmirësimin e Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, me një fond limit 3.8 milionë euro. Kjo procedurë u anulua, me argumentin se nuk kishte ofertë të përshtatshme. Në shtator 2024, i njëjti tender u rishpall, këtë herë me një fond të reduktuar në 3.6 milionë euro, të ndarë si më poshtë: 2.5 milionë euro për implementimin e sistemit (afati: 12 muaj) 1.1 milionë euro për mirëmbajtjen (afati: 24 muaj) Në këtë tender morën pjesë 3 kompani: XION IT SYSTEMS GMBH – ofroi 2.7 milionë euro SOFT & Solution – ofroi 3.1 milionë euro ATOM – ofroi 3.4 milionë euro Pavarësisht se XION IT SYSTEMS GMBH kishte ofertën më të ulët (2.7 milionë euro), ajo u skualifikua me argumentin se nuk kishte dorëzuar dokumentacion të vlefshëm. Në tetor 2024, fitues u shpall SOFT & Solution shpk, me një vlerë prej 3.1 milionë euro. Tender i ri për mirëmbajtje – fondi shtohet në 5 milionë euro Vetëm një muaj më pas, AKSHI shpalli një tjetër tender për mirëmbajtjen e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, me fond shtesë prej 1.9 milionë euro. Në këtë procedurë mori pjesë vetëm XION IT SYSTEMS GMBH, e cila u shpall fituese me të njëjtën vlerë – 1.9 milionë euro.
