Ambasadori shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ridi Kurtezi, ka deklaruar se aktualisht në Dubai ndodhen rreth 1,400–1,500 shqiptarë rezidentë, ndërsa me përfshirjen e turistëve numri i bashkatdhetarëve mund të arrijë deri në 2,000.
Sipas tij, shpërthimet dhe tensionet e fundit ishin të papritura, ndërsa situata e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme ka sjellë pezullimin e fluturimeve për shkak të aktivizimit të sistemeve të mbrojtjes raketore.
Kurtezi theksoi se nuk bëhet fjalë për bllokim të përhershëm, por për gjetjen e rrugëve alternative për lëvizjen e qytetarëve. Ai shtoi se gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në një takim informues në Ministrinë e Jashtme të Emirateve, ku është theksuar se situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.
Sipas ambasadorit, pritet që gjatë ditës së nesërme të ketë zhvillime të reja që mund të mundësojnë rifillimin e lëvizjes së pasagjerëve.
