Ikje pa kthim: Pse shqiptarët po heqin dorë nga shtetësia shqiptare

Data

Shqiptarët nuk po largohen më vetëm përkohësisht. Gjatë vitit të shkuar, rreth 900 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare, një rritje me mbi 6% krahasuar me vitin 2023. Ky fenomen tregon një prirje gjithnjë e më të fortë drejt emigrimit përfundimtar.

Shkaku kryesor lidhet me marrjen e një pasaporte të huaj, kryesisht europiane ose australiane. Shumë shtete pritëse nuk lejojnë dyshtetësinë dhe kërkojnë heqjen dorë nga shtetësia e origjinës si kusht për integrim të plotë ligjor dhe social. Procesi është i gjatë dhe selektiv, duke favorizuar individët e kualifikuar dhe të integruar prej vitesh në tregun e punës.

Sipas specialistëve të emigracionit, arsyet kryesore që shtyjnë shqiptarët drejt këtij vendimi janë tre:

  • mundësi më të mira punësimi,
  • arsim më cilësor,
  • shërbime shëndetësore më të sigurta dhe më efikase.

Marrja e një shtetësie të huaj u ofron atyre përfitime konkrete: lëvizje të lirë, siguri ligjore, akses të plotë në tregun e punës dhe mirëqenie sociale që nuk e gjejnë në vendin e origjinës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në 10 vitet e fundit mbi 6 600 shqiptarë kanë hequr dorë nga pasaporta shqiptare, ndërsa në 20 vitet e fundit mbi gjysmë milioni shqiptarë kanë marrë shtetësi të vendeve të Bashkimit Europian.

Fenomeni ka pasoja serioze për vendin:

  • humbje të forcës së re dhe aktive të punës,
  • tkurrje ekonomike,
  • plakje të përshpejtuar të popullsisë.

Veçanërisht shqetësuese është fakti se më shumë se gjysma e atyre që largohen janë të rinj të moshës 15–35 vjeç, duke thelluar krizën demografike dhe duke vënë në pikëpyetje zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

Heqja dorë nga shtetësia nuk është më një zgjedhje e rrallë personale, por një sinjal i fortë i mungesës së shpresës për një të ardhme më të mirë brenda vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related