Aktori i njohur i humorit Bes Kallaku ka folur hapur për jetën e tij pas divorcit, duke e cilësuar këtë kapitull si një histori të mbyllur përfundimisht.
I ftuar në një podkast, Kallaku u shpreh prerazi se për të e shkuara nuk ekziston më dhe se fokusi i tij është vetëm te e tashmja dhe njerëzit që i qëndrojnë pranë.
“E shkuara ime është e vdekur. Unë po jetoj të sotmen”, tha ai.
Aktori foli edhe për zhgënjimet që ka përjetuar nga persona që dikur i kishte afër, duke lënë të kuptohet se jo të gjithë ata që i konsideronte miq, i qëndruan pranë në momentet e vështira.
“Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?! Përveçse ju kam dhënë dorën, ju kam dhënë edhe bukën. Sado të zgjasë nata, do lindë dielli. Do të vijë dita”, u shpreh Kallaku.
Ai theksoi se pasuria e tij më e madhe janë dy fëmijët dhe prindërit, duke nënvizuar se familja është forca që e mban të qëndrueshëm.
“Sa armiq që kemi dhe sa ‘miq’ armiq përreth. Pasuria ime më e madhe janë dy fëmijët e mi, nëna dhe babai im”, shtoi ai.
Në fjalën e tij, aktori ndau edhe një reflektim për jetën dhe përkohshmërinë e saj, duke kujtuar humbjen e një personi të afërt:
“E marrim jetën për të mirëqenë, sikur e keqja s’do na ndodhë kurrë. Ndërroi jetë edhe Shpati i shkretë… a kishte plane për sot?”, tha ai.
DIVORCI
Ndarja e çiftit ishte një nga zhvillimet më të komentuara në showbiz-in shqiptar, duke tërhequr vëmendje të madhe publike.
Pak muaj më parë, u bë publik vendimi i Gjykatës së Tiranës, që vulosi zyrtarisht zgjidhjen e martesës mes dy artistëve.
