Policia ka zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur në Durrës, ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i automjetit, një 57-vjeçar me inicialet N. R., është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas përplasjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ai u ndal më pas nga patrullat e policisë dhe u arrestua në flagrancë.
Hetimet paraprake tregojnë se shkak i aksidentit ka qenë drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, çka ka sjellë humbjen e kontrollit dhe daljen e automjetit nga rruga, duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, dy prej të miturve, 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën, ndërsa fëmija 8-vjeçar u transportua për mjekim të specializuar në Spitali i Traumës në Tiranë.
Testi i alkoolit i kryer ndaj shoferit rezultoi pozitiv, me nivele 0.73 mg/l dhe 0.70 mg/l, ndërsa është marrë edhe kampion gjaku për analiza të mëtejshme toksikologjike.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se drejtuesi i mjetit ka pasur edhe më parë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë tejkalim shpejtësie dhe parakalime të gabuara, për të cilat i ishte pezulluar leja e drejtimit.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen, “Drejtim në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
Policia ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka bërë thirrje për respektim të rregullave të qarkullimit, duke theksuar se pakujdesia në rrugë vijon të sjellë pasoja tragjike.
