Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar gjendjen e rëndë mjedisore në zonën e Kasharajt në Lushnjë, ku sipas tij liqeni dhe përroi i zonës janë kthyer në një landfill të hapur.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Korreshi shfaq mbeturinat e shpërndara në të gjithë zonën, ndërsa akuzon autoritetet lokale për mungesë ndërhyrjeje.
“Koshin e kemi, po shikoni si i kemi plehrat. Ky përroi vadit gjithë zonën, po shiko si janë plehrat aty”, dëgjohet të thotë deputeti gjatë videos.
Ai e cilësoi situatën alarmante, duke theksuar se mbeturinat po ndotin jo vetëm ambientin përreth liqenit, por edhe përroin që përdoret për vaditjen e tokave bujqësore.
Korreshi ironizoi gjendjen e zonës duke e krahasuar me “Amazonën”, ndërsa shtoi se era e mbeturinave e ka bërë të pamundur shfrytëzimin e hapësirës për pushim apo aktivitete familjare.
“Këtu është një freskëllëk, të bësh një piknik, një tavolinë… po të mbyt era e plehrave”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat i bëri thirrje Bashkisë së Lushnjës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për pastrimin e zonës.
“Hajde e pastroni plehrat! Njerëzit paguajnë lekë për pastrimin”, u shpreh Korreshi.
Sipas tij, një zonë me potencial natyror dhe turistik po degradohet nga papërgjegjshmëria dhe mungesa e menaxhimit të mbetjeve.
