82 vite më parë, në natën e 4 shkurtit 1944, Tirana u përfshi nga një nga masakrat më të rënda të historisë së saj. Pushtuesit nazistë gjermanë, në bashkëpunim me kuislingë dhe forca balliste, vranë brenda një nate 84 persona dhe arrestuan qindra të tjerë, duke përhapur terror në kryeqytet.
Duke folur për këtë ngjarje, Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, e cilëson masakrën e 4 shkurtit si një krim makabër të organizuar me lista në dorë, me synimin për të frikësuar popullin dhe për ta larguar nga rruga e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Sipas tij, drejtuesit kryesorë të kësaj masakre ishin kuislingë shqiptarë të vendosur në shërbim të pushtuesve nazistë, me Xhaferr Devën në krye, të mbështetur nga struktura të xhandarmërisë, elementë të Ballit Kombëtar dhe forca të tjera bashkëpunëtore. Bastisjet u kryen natën, shtëpi më shtëpi, ku qytetarë të pafajshëm – burra, gra e të rinj – u rrëmbyen dhe u ekzekutuan barbarisht në rrugët e Tiranës.
Xhafa thekson se masakra kishte si qëllim të mbulonte dobësimin dhe kapitullimin e afërt të Gjermanisë përballë forcave të LANÇ-it, duke përdorur terrorin si mjet për të ruajtur kontrollin dhe “qetësinë” e regjimit kuisling. Ai shton se kjo ngjarje mbetet një plagë e hapur në kujtesën historike dhe një dëshmi e bashkëpunimit kriminal mes pushtuesve dhe tradhtarëve vendas.
Sipas dokumenteve të kohës, gjatë asaj nate u bastisën qindra banesa dhe u arrestuan qindra persona, ndërsa 84 prej tyre u pushkatuan si “më të rrezikshmit”. Viktimat ishin kryesisht shqiptarë, por edhe shtetas të tjerë që jetonin në Tiranë në atë periudhë.
Masakra e 4 shkurtit 1944, sipas Muharrem Xhafës, është një apel i fortë historik për vigjilencë kundër fashizmit dhe çdo përpjekjeje për të relativizuar ose harruar krimet e kryera ndaj popullit shqiptar. Ai thekson se kjo ngjarje nuk duhet parë thjesht si hakmarrje personale, por si pjesë e një strategjie terrori të organizuar për të shtypur rezistencën antifashiste dhe për të ruajtur pushtetin e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
