Situata në aksin kombëtar Prrenjas–Elbasan paraqitet tepër e rëndë, me qarkullimin e automjeteve pothuajse tërësisht të bllokuar. Prej disa orësh, mjetet nuk po lëvizin, ndërsa mijëra qytetarë kanë mbetur të izoluar në radhë kilometrike, në kushte të vështira dhe temperatura nën zero.
Sipas informacioneve nga terreni, bllokimi shtrihet nga ura e Bushtricës deri në zonën e Labinotit, duke krijuar kaos të plotë në këtë segment të rëndësishëm rrugor. Drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët po përballen me pritje të gjata, mungesë informacioni dhe vështirësi serioze për shkak të qëndrimit të zgjatur në automjete.
Qarkullimi vijon të mbetet i paralizuar, pa sinjale konkrete për përmirësim të situatës, ndërsa shqetësimi i qytetarëve rritet për sigurinë dhe kushtet e qëndrimit për një kohë të gjatë në trafik. Deri në këto momente, nuk ka ende një reagim zyrtar mbi shkaqet e bllokimit apo masat që po merren për normalizimin e lëvizjes në këtë aks.
