Prej ditës së sotme vendi është përfshirë nga reshje shiu, të cilat pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, përveç shiut, në zonat malore parashikohen edhe reshje dëbore.
Sipas parashikimit 5-ditor të motit për periudhën 2–5 janar 2026, reshjet e shiut do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit, ndërsa më datë 5 janar reshje të dendura pritet të prekin veçanërisht Qarkun e Vlorës. Në zonat malore të këtij qarku, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.
Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve dhe rritjes së prurjeve në lumenj, ekziston rreziku për:
- vërshime uji në zona urbane dhe rurale;
- probleme në sistemet e kanalizimeve;
- përmbytje të përkohshme në zona me risk.
Për parandalimin dhe minimizimin e pasojave, strukturat e mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake, duke përfshirë:
- njoftimin e bizneseve në zonat me risk për përmbytje;
- paralajmërimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive në zona të sigurta;
- informimin e qytetarëve përmes mediave lokale për të shmangur qëndrimin në zona të rrezikuara;
- kontrollin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve;
- mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe funksionimin e sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;
- sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.
Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.
