Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka paralajmëruar për rritjen e rrezikut nga zjarret, ndërsa njofton se në të gjithë vendin janë regjistruar 160 vatra zjarri në periudhën nga 22 qershori deri më 7 korrik.
Të dhënat u bënë publike gjatë mbledhjes së Komisionit Teknik Këshillimor për masat ndaj sezonit të zjarreve, të zhvilluar në ambientet e AKMC-së dhe të drejtuar nga drejtori i përgjithshëm, Haki Çako.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave civile, përfshirë Forcat e Armatosura, Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe Policinë e Shtetit.
Sipas Çakos, nga 160 rastet e regjistruara:
- 127 zjarre kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi, shkurre, ferra, pyje dhe mbetje urbane;
- 33 raste kanë qenë zjarre në zona urbane.
Autoritetet theksuan se ndërhyrjet janë realizuar në koordinim mes strukturave vendore dhe qendrore, me mbështetje tokësore dhe ajrore, si dhe me angazhimin e forcave operacionale në terren.
Drejtori i AKMC-së deklaroi se temperaturat e larta të javëve të fundit kanë rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e zjarreve, duke vënë në provë kapacitetet e strukturave të mbrojtjes civile.
Ai shtoi se Qeveria vijon investimet për forcimin e kapaciteteve të reagimit përmes fondeve të kushtëzuara dhe mbështetjes së njësive të pushtetit vendor, ndërsa theksoi se bashkëpunimi i qytetarëve mbetet thelbësor.
AKMC u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri ose rast të dyshuar, duke nënvizuar se sinjalizimi i hershëm është një faktor kyç për ndërhyrje të shpejtë dhe kufizimin e dëmeve.
Sipas agjencisë, Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile vijon të jetë në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë, në koordinim me Policinë e Shtetit, Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura dhe Urgjencën Kombëtare Mjekësore.
