Dy tërmete të njëpasnjëshëm kanë shkundur Greqinë mbrëmjen e sotme, duke u regjistruar brenda një intervali kohor prej vetëm shtatë minutash.
Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundja e parë u regjistrua në orën 19:50 me magnitudë 2.7 ballë sipas shkallës Rihter. Tërmeti kishte një thellësi fokale prej 8.4 kilometrash dhe epiqendra u lokalizua rreth 6 kilometra në verilindje të qytetit Rafina.
Vetëm shtatë minuta më vonë, në orën 19:57, u regjistrua një tjetër dridhje sizmike me magnitudë 2.9 ballë. Sipas zgjidhjes automatike, thellësia fokale ishte rreth 5 kilometra, ndërsa epiqendra u përcaktua sërish në verilindje të Rafinës.
Lëkundjet janë ndjerë në zonën e Atikës Juglindore, por sizmiologët i kanë cilësuar si të parrezikshme. Deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.
Autoritetet vijojnë monitorimin e aktivitetit sizmik në zonë.
