Aferat milionëshe të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut: Çfarë dihet deri tani dhe pse mungon ende epilogu

Data

Viti 2025 në Maqedoninë e Veriut është shënuar nga një sërë hetimesh për korrupsion të profilit të lartë, me shuma që arrijnë në qindra miliona euro, por pa përfundime konkrete në drejtësi. Arrestime, bastisje, hetime të gjera dhe persona në arrati kanë dominuar raportimet publike, ndërsa aktakuzat dhe vendimet gjyqësore ende mungojnë.

Ndër rastet më të bujshme është hetimi për furnizimin me mazut të Termocentralit të Negotinës gjatë viteve 2021–2023. Biznesmeni Asmir Jahoski, i njohur për kompaninë e naftës “Pucko Petrol”, së bashku me Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sulkoski nga kompania RKM, dyshohen për dëmtim të buxhetit shtetëror në vlerën e rreth 167.5 milionë eurove. Hetimi përfshin gjithsej 13 persona dhe një kompani, ndërsa veprat penale lidhen me keqpërdorim të procedurave të prokurimit publik dhe pastrim parash.

Mostrat e mazutit janë dërguar për ekspertizë jashtë vendit dhe rezultatet janë kthyer në fund të nëntorit. Megjithatë, hetimet po vonohen për shkak të mungesës së përgjigjeve nga institucione të ndryshme shtetërore, përfshirë edhe dokumentacionin e kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Prokuroria pret që këto të dhëna të dorëzohen përpara marrjes së një vendimi për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.

Të dyshuarit kryesorë në këtë rast janë liruar nga paraburgimi me masa kujdesi dhe garanci financiare. Disa prej tyre kanë dorëzuar pasaportat, ndërsa të tjerë jo, çka ka ngritur debate publike mbi standardet e barabarta të drejtësisë.

Një tjetër aferë e rëndë lidhet me Lotarinë Shtetërore, ku dyshohet për përvetësime dhe keqpërdorime në vlerë rreth 8 milionë euro. Në këtë dosje përfshihen ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i përgjithshëm Përparim Bajrami, të cilët ndodhen në arrati dhe për të cilët është lëshuar fletarrest ndërkombëtar. Për shkak të mungesës së tyre, gjykimi nuk mund të zhvillohet, pasi ligji nuk lejon procedim në mungesë për vepra penale të rënda.

Artan Grubi është përfshirë gjithashtu në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë publike informacione për lokalizimin apo ekstradimin e tij.

Në fokus është edhe hetimi ndaj ish-drejtorit të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, Pece Mirçevski. Ky hetim ka përfunduar dhe pritet vendimi për ngritjen e aktakuzës. Mirçevski dyshohet për marrje ryshfeti dhe përvetësim në shërbim, përfshirë konflikt interesi në tendera publikë dhe përfitime personale për vete dhe familjen e tij, përmes përdorimit të automjeteve, shërbimeve dhe udhëtimeve të paraqitura si zyrtare.

E gjithë kjo ndodh në një moment kritik për sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, pas dorëheqjes së prokurorit të shtetit Ljupço Kocevski. Ai u largua nga posti duke e cilësuar presionin politik si arsye kryesore dhe duke paralajmëruar cenim të shtetit ligjor. Deri në zgjedhjen e një prokurori të ri, institucioni drejtohet nga një ushtruese detyre, me mandat të kufizuar në gjashtë muaj.

Megjithëse hetimet janë të shumta dhe shifrat e dëmit financiar janë alarmante, mungesa e epilogëve gjyqësorë ka thelluar skepticizmin e opinionit publik për aftësinë e institucioneve për të ndëshkuar korrupsionin e nivelit të lartë. Viti 2026 pritet të jetë vendimtar për këto çështje, nëse drejtësia do të arrijë të kalojë nga faza e hetimeve te vendimet konkrete.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related