Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi dje të shtyjë për një datë tjetër seancën paraprake ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurit e tjerë, të akuzuar për aferën korruptive të dosjes së kompleksit “Partizani”. Shkak u bë kërkesa e të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës për tu njohur me aktet. Ndërkohë pas shtyrjes se seancës, foli për gazetarët avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Ai tha se Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar si prioritare çështjen e Berishës dhe pritet t’i drejtohet me pyetje shtetit shqiptar. “Gjykata e Strasburgut pa shteruar ende gjykimin në Gjykatë Kushtetuese ka kaluar në fazën e debatit çështjen e zotit Berisha. E ka konsideruar çështje prioritare dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar për procesin e parregullt ligjor. Janë të gjitha ankimet për detyrimin paraqitje, arrestin shtëpi, anti kushtetutshmërinë dhe pasojat që rrjedhim, ndërprerjen e aktivitetit si lider opozite dhe deputet. Të gjitha problematikat që i kemi paraqitur Strasburgu ka ecur në një shpejtësi pa precedent.
Ne do presim shkresa ka ardhur drejtuar shtetit shqiptar, do plotësohen pyetje dhe do merret vendim”, deklaroi Gjokutaj. Ndërkohë mësohet vendimi për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’ me të akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe 3 të tjerë, do të mbahet pas dy javësh, konkretisht 16 dhjetor ora 11:00. Këtë herë ka qenë dhe avokatja e Andia Pustinës që ka kërkuar shtyrjen për tu njohur me dosjen.
Reagon Berisha
Ndërkaq ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje pas masave detyrim paraqitjeje që SPAK ka vënë ndaj dy gazetarëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno, në kuadër të operacionit për goditjen e një grupi kriminal. Teksa ishte në një konferencë për mediat online, Sali Berisha kërkoi heqjen e masës ndaj gazetarit Elton Qyno, duke pretenduar se është rrëmbyer nga Altin Dumani pasi ka denoncuar lidhjet e Ramës me krimin. Kjo masë, shtoi Berisha, sipas tij, nuk ka lidhje me atë të Artan Hoxhës që sipas tij është anëtar i bandës Bajri. “Elton Qyno, në një shërbim të madh ndaj vendit ka demaskuar me guximin më të madh lidhjet e Edi Ramës me krimin. Rrëmbimi i tij nga Altin Dumani është një nga ngjarjet më dramatike në historinë e Shqipërisë.
Grabitja e telefonave të tij për të shpëtuar Edi Ramën nga dokumente që e komprometojnë atë në mënyrën më serioze, duke filluar nga udhëtimi i tij në Aruba tek dhuratat gjysmë milionë euro, etj, etj, përbëjnë një akt kriminal të vërtetë në mbrojtje të Edi Ramës. Vendosja e masave njëkohësisht ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar dhe trim, me Artan Hoxhën, anëtar i damkosur i bandës së Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani, gjer së fundmi u detyrua të vendosë një masë arresti shtëpie, ndërkohë që informoi publikun se dokumente zyrtare faktojnë se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv, i paguar i bandës Bajri-Gjoka të partisë.
Nuk kanë asnjë lidhje këta dy gazetarë me njëri-tjetrin, lidhja qëndron në poshtërsinë e Altin Dumanit, që kërkon t’i paraqesë të inkriminuar së bashku”, deklaroi Berisha. Detyrim paraqitje GJKKO ka vendosur për gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët të dy janë paraqitur këtë të hënë vetë në Prokurorinë e Posaçme për ekzekutimin e masës së sigurisë. Qyno është nën akuzë për korrupsion pasiv në sektorin privat, ndërsa Artan Hoxha ka akuzën e rëndë si pjesëmarrës në organizatë kriminale.
