Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion dhe kapje të institucioneve shtetërore. Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te skandali që lidhet me Belinda Ballukun, duke deklaruar se në këtë aferë janë vjedhur miliona euro.
Ai theksoi se edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është, sipas tij, marrë peng dhe funksionon si pronë private e kryeministrit. Berisha akuzoi se tenderët kontrolloheshin nga persona të lidhur familjarisht me Ramën, duke penguar çdo garë të ndershme.
Sipas tij, në AKSHI çdo procedurë prokurimi duhej të kalonte përmes një rrethi të caktuar, ku përdorej skema e firmave fiktive dhe përfaqësimeve të rreme për të manipuluar tenderët. Ai deklaroi se në rastet kur një sipërmarrës i vërtetë fitonte me ligj, ky merrej peng dhe ushtrohej presion ndaj tij vetëm pse kishte guxuar të konkurronte.
Berisha e cilësoi këtë situatë si të paprecedentë, duke theksuar se bëhet fjalë për një institucion shtetëror që, sipas tij, shërben për interesa personale dhe familjare. Ai shtoi se një nga biznesmenët e përfshirë ka kërkuar mbrojtje jashtë vendit, pasi çështja është dokumentuar dhe bërë e njohur edhe për faktorë ndërkombëtarë.
Në fund të fjalës së tij, Berisha ironizoi deklaratat e kryeministrit për respektin ndaj bashkëshortes së tij, duke lënë të kuptohet se lidhjet familjare janë bërë bazë për favorizime dhe mbrojtje politike, ndërsa institucionet shtetërore, sipas tij, janë shndërruar në vegla të pushtetit personal.
