Adriatik Lapaj protestë gjithë natën para Kryeministrisë: “Mjafton një shkëndijë për të ndezur reagimin popullor – 53 milionë euro u zhdukën me një mesazh”

Data

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zhvilluar një protestë të pazakontë gjatë gjithë natës para godinës së Kryeministrisë, duke bërë thirrje për reagim shoqëror kundër asaj që e cilëson “kapje totale të shtetit dhe kriminalizim të pushtetit”.

Përmes videomesazheve të publikuara gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, Lapaj deklaroi se vendi ndodhet në një pikë kritike dhe se qytetarët duhet të ngrihen përballë abuzimit me pushtetin.

“Duhet një shkëndijë për të ndezur reagimin popullor”

Lapaj theksoi se shqiptarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer, por sipas tij mjafton një moment i vetëm për të rikthyer reagimin shoqëror:

“Duhet një shkëndije për ta ndezur reagimin popullor. Studentët që Rama i gënjeu pak vite më parë duhet të reagojnë. Ky vend nuk rregullohet nëse njerëzit që vjedhin forcohen, ndërsa qytetarët e ndershëm largohen nga Shqipëria.”

Ai solli si shembull çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e pezulluar nga GJKKO, duke e akuzuar se me “një mesazh” është bërë përgjegjëse për humbjen e 53 milionë eurove.

“Si ka mundësi që në Shqipëri kush kapet duke vjedhur, forcohet më shumë?”

Duke renditur disa skandale të qeverisë, Lapaj u shpreh:

“Në çdo vend normal, kush vjedh largohet. Këtu vjedhin dhe bëhen më të fortë. Zv.kryeministri i parë iku duke u arratisur. Zv.kryeministrja e dytë del me një aferë 53 milionë euro dhe Rama del më i fuqishëm. Si ndodh kjo? Si ka mundësi?”

Sipas tij, ky fenomen ka sjellë një “batërdi të paprecedentë” në ekonominë e vendit, ndërsa njerëzit shohin si zgjidhje vetëm emigrimin.

Akuzat për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese

Lapaj akuzoi kryeministrin Rama se po ushtron presion mbi Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen Balluku:

“Rama po i bën presion Gjykatës Kushtetuese. Kjo është shkelje flagrante e ndarjes së pushteteve. Nëse drejtësia bie, bie gjithçka.”

Ai shtoi se protesta nuk duhet të ndalet:

“Protestat duhet të jenë pa ndërprerje deri sa Edi Rama të largohet. Ky është borxhi që kemi ndaj vendit tonë.”

“Rruga Qukës–Qafë Plloçë: 260 milionë euro që mund të na kishin marrë jetën”

Lapaj përmendi edhe shembjen e segmentit rrugor Qukës–Qafë Plloçë:

“Nuk është politikë ajo që bën Rama kur firmos projekte si rruga Qukës–Qafë Plloçë për 260 milionë euro dhe ajo shembet. A mund të na kishte zënë të gjithëve? Po. Dhe sërish askush nuk mban përgjegjësi.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related