Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit të krijuar rreth librit “The Albanian Files”, duke sqaruar se letra e arkitektit holandez Reinier de Graaf, ku në mënyrë ironike i sugjerohet të bëhet “mbret”, është keqinterpretuar.
Në podkastin “Flasim”, Rama tha se teksti nuk përbën një thirrje politike, por është një shkrim satirik dhe autoironik, në përputhje me stilin e njohur të autorit.
Sipas tij, “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur, që mbledh kontributet e 60 arkitektëve dhe studiove ndërkombëtare të lidhura me projektet në Shqipëri.
“Ky libër është një nga botimet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban. Nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje. Unë kam vetëm një tekst hyrës si kryeministër”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se çdo autor ka pasur liri të plotë për të zgjedhur projektet, tekstet dhe materialet e përfshira në librin e tij, pa ndërhyrje editoriale apo politike.
“Autonomia e autorëve është ruajtur gjatë gjithë procesit editorial. Përfshirja e letrës së Reinier de Graaf është dëshmi e kësaj autonomie. Nuk ka pasur redaktim apo censurë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar letrës së arkitektit, Rama tha se ajo duhet lexuar në kontekstin e stilit të autorit.
“Ai përdor një stil ironik, satirik dhe paradoksal në shkrimet e tij. Nuk është një deklaratë politike lineare dhe nuk ka lidhje me ndonjë thirrje reale që unë të bëhem mbret”, tha kryeministri.
Rama kritikoi gjithashtu interpretimet që, sipas tij, i janë bërë librit dhe autorëve të tij, duke i cilësuar si një “inkuizicion” ndaj një projekti editorial të pavarur dhe një komuniteti arkitektësh me reputacion ndërkombëtar.
