“A e di mirë italishten?”/ Përgjimet zbulojnë skemën e trafikut të emigrantëve: nga Shqipëria në Itali e më pas drejt SHBA-së

Data

Dosja hetimore me përgjime telefonike ka zbardhur mënyrën se si funksiononte një grup i strukturuar kriminal që merrej me nxjerrjen e paligjshme të shqiptarëve drejt vendeve europiane dhe më tej në Amerikën e Veriut.

Në qendër të hetimit janë Hazir Maci dhe bashkëshortja e tij, Cekrez Nikoci, si edhe Ardian Pirani, Alfred Maci dhe Endrit Nezaj, të akuzuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim dokumentesh. Sipas dosjes, anëtarët e grupit organizonin takime, siguronin dokumente dhe planifikonin itinerare të detajuara për emigrantët, fillimisht drejt Italisë, më pas në Spanjë dhe Republikën Dominikane, me destinacion final SHBA-në ose Kanadanë.

Një nga provat kyçe janë përgjimet mes Hazir Macit dhe shtetasit Tahir Cena, ku diskutohet dërgimi i një shqiptari nga Italia. Në bisedë, Maci interesohen nëse personi di të flasë mirë italisht, element i rëndësishëm për të kaluar pa dyshime kontrollin dhe për t’u integruar përkohësisht në vendin tranzit.

Në përgjim dëgjohet:

Hazir Maci pyet nëse “a din me fol mirë italisht”, duke sqaruar se nisja do të bëhej nga Italia dhe se duheshin foto dhe të dhëna personale për dokumentacionin. Tahir Cena konfirmon se personi e flet shumë mirë italishten, ndërsa Maci shton se gjithçka do të bëhej “me pasaportë italiane, me të dhëna”.

Në deklarimet e tij para hetuesve, Tahir Cena ka pranuar se njeh Hazir Macin dhe se i kujtohet biseda, duke pohuar se ishte pyetur për një djalë që kërkonte të ikte jashtë shtetit. Sipas tij, origjina e personit ishte nga Kukësi, ndërsa nuk mban mend detaje të tjera për destinacionin final.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritete ndërkombëtare, përfshirë Shërbimin Diplomatik të Sigurisë dhe Zyrën për Hetimet Kriminale jashtë SHBA-së. Këto struktura kanë ndihmuar në ndjekjen e itinerarit Shqipëri–Kosovë–Itali–Spanjë–Santo Domingo, si dhe në identifikimin e vendeve ku strehoheshin emigrantët dhe personave të kontaktit jashtë vendit.

Sipas prokurorisë, dosja tregon një skemë të mirëorganizuar, ku çdo detaj – nga gjuha që fliste emigranti, dokumentet e rreme, deri te rruga e ndjekur – ishte pjesë e një mekanizmi kriminal për trafikimin e njerëzve drejt Perëndimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related