A do ta dorëzojë PS Ballukun te SPAK? Taulant Balla shmang përgjigjen: Vendimi politik merret pasi të nisë procedura në Kuvend

Data

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me pyetjen nëse mazhoranca do të lejojë arrestimin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj.

Në një prononcim për gazetarët, Balla u shpreh se vendimi politik i socialistëve do të merret vetëm pasi të nisë zyrtarisht procedura në Kuvend, duke theksuar se Parlamenti do të veprojë sipas Kushtetutës.

Pyetje – përgjigje:

Pyetje: Do ta lejoni që SPAK të arrestojë Belinda Ballukun?

Balla: Kuvendi i Shqipërisë e ka qartazi të përcaktuar procedurën që do ndjekë. Pavarësisht klithmave të Gazment Bardhit, Kuvendi nesër fillon procedurën. Ky është një rast ku Kuvendi duhet të veprojë sipas Kushtetutës.

Pyetje: Po ju pyesim për votën politike të PS-së?

Balla: Do të kemi komunikim për këtë çështje pasi të fillojë procedura parlamentare.

Deklaratat e Ballës vijnë në një moment tensioni të lartë politik, ku opozita kërkon arrestimin e Ballukut, ndërsa mazhoranca shmang çdo pozicionim paraprak për votën në Kuvend.

Ndërkohë, i pyetur për çështjen e marrjes peng të biznesmenit Gerond Meçe, Balla theksoi mbështetjen e PS-së për SPAK-un.

“Unë gëzohem sa herë SPAK realizon operacione. Edhe kur kam qenë ministër i Brendshëm, edhe ministër shteti, edhe kryetar grupi. Mezi prisja sot të kishim debat për luftën kundër kriminalitetit. SPAK-un e mbështet vetëm Partia Socialiste. Prioritet është pastrimi i Policisë nga elementë kriminalë”, u shpreh Balla.

Qëndrimi i tij lë të hapur pikëpyetjen kryesore politike të ditës:
A do ta mbrojë PS Belinda Ballukun apo do t’i hapë rrugë arrestimit nga SPAK?

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related