Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit në Mamurras, duke lënë të plagosur një 51-vjeçar. Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy adoleshentë, të dy 18 vjeç, të dyshuar si autorë të plagosjes.
Sipas bluve, pas një sherri për xhirimin e gomave, shtetasit Roeni Noka dhe Oligert Ndreca, banues në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri ndaj Marketin Markut, 51 vjeç, duke e plagosur në dorë.
Pas ngjarjes, dy të rinjtë janë larguar nga vendi i krimit me automjet. Mjeti është gjetur më pas në banesën e Oligert Ndrecës dhe është sekuestruar nga policia si provë materiale.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Pas veprimeve të thelluara hetimore nga Komisariati i Policisë Kurbin dhe DVP Lezhë, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit R. N. dhe O. N., të cilët dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin M. M., 51 vjeç, për motive të dobëta. Punohet intensivisht për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të përgjegjësisë penale.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë shqetësimin për përdorimin e armëve nga të rinjtë pas konflikteve banale, duke rrezikuar jetën e qytetarëve në mes të ditës.
