Mbyllen aplikimet për drejtimin e gjashtë departamenteve kryesore të Policisë së Shtetit

Data

Është mbyllur afati i aplikimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të gjashtë departamenteve kryesore të Policisë së Shtetit. Sipas informacionit zyrtar, në garë janë regjistruar nëntë kandidatë, nga të cilët gjashtë do të emërohen në pozicionet drejtuese.

Konkursi përfshin drejtimin e Departamentit për Policinë Kriminale, Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, si dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.

Në garë marrin pjesë Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muça, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lufti Minxhozi. Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat ligjore, profesionale dhe shëndetësore, si dhe të mos kenë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit apo konflikt interesi.

Në ditët në vijim, kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga komisioni i posaçëm i Policisë së Shtetit. Në përfundim të këtij procesi do të përzgjidhen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve.

Emërimet do të bëhen me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me miratimin e ministrit të Brendshëm. Ndërkohë, në Kuvend pritet të shqyrtohen ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat, sipas propozimeve, mund të ndryshojnë procedurat e përzgjedhjes për nivele të caktuara drejtuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related