Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë vazhdon të përflitet për rivalitetin e saj me kryebashkiakun Erion Veliaj brenda Partisë Socialiste. Edhe pse publikisht përpiqet të ruajë një qëndrim të ekuilibruar, burime bëjnë me dije se Balluku ka interesa të përbashkëta me opozitën për të dobësuar Veliajn. Rivaliteti mes Ballukut dhe Veliajt mund të shpjegohet nga gara e brendshme për ndikim dhe pozita në Partinë Socialiste, ku të dy shihen si figura ambicioze me pretendime për udhëheqje në të ardhmen.
Mbështetja e heshtur e Ballukut ndaj kritikëve të Veliajt, siç është Belind Këlliçi dhe Flamur Noka mund të jetë pjesë e një strategjie afatgjatë për të forcuar pozitat e saj. Sukseset elektorale të Veliajt dhe profilizimi i tij si një lider modern e kanë bërë atë një figurë të rrezikshme për të dy palët. Për opozitën, dobësimi i Veliajt është një hap drejt ringritjes në Tiranë pasi zgjedhjet janë shumë afër. Për socialistët rivalë, si Balluku, kjo mund të jetë një mundësi për të fituar më shumë ndikim brenda partisë.
Lidhjet e Ballukut
Madje korridoreve thuhet se ajo që po furnizon opozitën me informacione që janë dorëzuar në SPAK për Veliajn është vetë Balluku. Dyshimet janë se ministrja e cila pa hyrë në qarqet e larta të Rilindjes, ka drejtuar drejtorinë e aviacionit civil, po aludohet se ka spiunuar të dhënat e lëvizjeve të Veliajt që në mes të viteve 2000, atëherë kur sistemi TIMS ende nuk funksiononte dhe të dhënat nuk mund të vileshin “on line”. Denoncuesi anonim i Veliajt ka dorëzuar në SPAK informacione konfidenciale të Aviacionit Civil, siç është një fluturim i Veliajt 20 vite më parë, duke ngritur pikëpyetje se kush është burimi që i ka dhënë një anonimi informacione jo publike nga Aviacioni.
Nga ana tjetër, Belind Këlliçi është bashkëshorti i Ana Shkrelit, vajzës së ish-zv ministrit socialist Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë, i privilegjuar i Edi Ramës me poste të larta në qeverisjen e tij. Por kjo nuk është lidhja e vetme e Këlliçit me Partinë Socialiste. Ndërsa ai bënte opozitë, vëllai i tij merrte pagë nga një degë e ministrisë që drejtohet nga Belinda Balluku. Pas publikimit të listës së pagave, Reshard Këlliçi rezultoi i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë rreth 1.9 milion lek të vjetra.
AlbGaz është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku. Pra faktet dhe provat konfirmojnë zërat se protestat e organizuara nga Flamur Noka, Këlliçi dhe Bardhi kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, janë financuar në mënyrë të tërthortë nga Belinda Balluku. E themi këtë pasi, një pjesë e fondeve të tyre dyshohet se ka ardhur përmes rrjetit të koncesioneve të dhëna nga Balluku, drejt oligarkut Bashkim Ulaj të lidhur ngushtë me Sali Berishën. Ky oligark, i cili ka përfituar kontrata të majme për projekte infrastrukturore, është gjithashtu qiradhënësi i zyrave të përdorura nga Berisha dhe aleatët e tij politikë, të cilët ndodhen nën hetim nga SPAK për akuza të ndryshme penale.
