Dosja e Postës Shqiptare në Durrës, ish-drejtoresha mohon akuzat gjatë seancës gjyqësore

Data

Kanë dalë detaje të reja nga hetimet për skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre ish-zyrtare janë arrestuar nën dyshimin për abuzim me rreth 69 milionë lekë të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, Prokuroria paraqiti elemente të hetimit, duke përfshirë edhe pretendime lidhur me frekuentimin e ambienteve të lojërave të fatit nga ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj.

Sipas raportimeve nga seanca, Mataj pranoi se ka frekuentuar kazino, por kundërshtoi që kjo të përbëjë shkelje ligjore ose kontraktore. Ajo deklaroi para gjykatës se, si qytetare, nuk ka pasur asnjë ndalim që ta pengonte të frekuentonte lokale, bare apo kazino.

Ish-drejtoresha mohoi gjithashtu pretendimet se është përpjekur t’i shmanget drejtësisë, duke deklaruar se kishte planifikuar një udhëtim jashtë vendit më 10 korrik dhe se në datat 13 dhe 14 korrik ka qenë në vendin e punës.

E pyetur nga gjykata mbi destinacionin e shumës që dyshohet se është përvetësuar, Mataj deklaroi se nuk ka dijeni se ku kanë përfunduar fondet.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar mënyrën e funksionimit të skemës së dyshuar, përgjegjësinë e secilës prej të dyshuarave dhe destinacionin e fondeve të administruara nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës.

Sqarim: Personat e përfshirë në këtë procedim penal prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related