Murrizi: Gara në PD ishte farsë, Boçi u largua me plan, Berisha po promovon servilët dhe po e kthen Rithemelimin në partinë e vjetër

Data

Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka hedhur akuza të forta ndaj procesit të zgjedhjes së drejtuesve të rinj në Partinë Demokratike, duke e cilësuar atë një garë të paracaktuar dhe pa konkurrencë reale.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Murrizi deklaroi se procesi ishte zhvilluar vetëm për të legjitimuar vendime të marra më herët, ndërsa shtoi se e vetmja garë reale ishte ajo mes Luçiano Boçit dhe Belind Këlliçit për një nga postet e nënkryetarit të PD-së.

Sipas tij, largimi i Boçit nga drejtimi i partisë ishte i planifikuar dhe kandidatët e tjerë shërbyen vetëm për të krijuar idenë e një gare formale.

“Dyshoj shumë se një pjesë e garuesve formalë mund të mos kenë votuar as emrin e tyre. E vetmja garë ishte ajo mes Luçiano Boçit dhe Belind Këlliçit, e organizuar për ta larguar Boçin nga posti i nënkryetarit”, shkruan Murrizi.

Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si janë përzgjedhur drejtuesit e rinj, duke pretenduar se në vend të figurave që kanë marrë mbështetje nga demokratët dhe qytetarët, po promovohen persona anonimë politikisht dhe besnikë të kryetarit të partisë.

Murrizi shprehet se pas largimit të shumë figurave të Rithemelimit, në strukturat drejtuese janë rikthyer ish-bashkëpunëtorë të Lulzim Bashës, të cilët, sipas tij, dikur ishin kundër rikthimit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.

“Pas largimit të Luçiano Boçit, nga Rithemelimi kanë mbetur vetëm Berisha dhe Muli. Të gjithë të tjerët janë zëvendësuar me ata që ishin me Bashën, që përjashtuan Berishën dhe që deklaronin se do të largoheshin nga politika nëse ai rikthehej”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, ish-deputeti e cilëson procesin jo si një “ripërtëritje” të Partisë Demokratike, por si një “ripërtypje” të figurave dhe konflikteve të viteve të fundit.

Ai thekson se prova e vërtetë për ekipin e ri nuk do të jetë mënyra se si u zgjodh, por mbështetja që do të marrë nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

“Deri në zgjedhje është vetëm stërvitje. Ndeshja e vërtetë është te vota e qytetarëve. Të tjerat janë vetëm propagandë”, përfundon Murrizi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related