Tabaku kërkon shtyrjen e mandatit të Komisionit për Reformën Territoriale: Duhet të gjejmë gabimet e modelit aktual

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar shtyrjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, duke argumentuar se puna nuk mund të përfundojë pa u respektuar etapat e parashikuara në projektkalendar.

Gjatë mbledhjes së Komisionit, Tabaku tha se duhet të zhvillohet fillimisht dëgjesa me Bashkinë e Tiranës dhe më pas ekspertët të paraqesin përfundimet e tyre mbi funksionimin e reformës së vitit 2014.

Sipas saj, nuk mund të hartohet një analizë e plotë pa dëgjuar institucionin që administron njësinë më të madhe vendore dhe buxhetin më të lartë bashkiak në vend.

“Ekspertët duan të paraqesin gjetje, ndërkohë që bashkia më e madhe në vend nuk ka dhënë ende llogari. Nuk mund të flasim për përfundime pa kuptuar se si ka funksionuar zgjerimi territorial dhe çfarë kanë përfituar qytetarët”, deklaroi Tabaku.

Deputetja ngriti shqetësime për mungesën e shkollave në zona si Astiri, Zall-Bastari dhe Zall-Herri, si dhe për problematikat e trafikut, infrastrukturës, strehimit social dhe përdorimit të të ardhurave nga taksat vendore.

Ajo kërkoi transparencë mbi taksën e arsimit, lejet e ndërtimit, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe investimet e realizuara për komunitetet.

Tabaku paralajmëroi se kapërcimi i dëgjesave dhe përshpejtimi i procesit mund ta shndërrojë reformën në një instrument elektoral.

“Nëse kërkoni të prodhoni një hartë politike, mund ta bëni, por mos e paraqisni si nevojë të shqiptarëve. Reforma duhet të përmirësojë shërbimet dhe të afrojë pushtetin vendor me qytetarin”, u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, Komisioni duhet të përfundojë dëgjesat, të evidentojë gabimet e reformës ekzistuese dhe vetëm më pas të hartojë një model të ri administrativo-territorial.

Ajo kërkoi gjithashtu që reforma të lidhet me ndarjen rajonale të vendit dhe procesin e integrimit europian.

“Duhet të shtyjmë mandatin, të kuptojmë ku kemi gabuar dhe të ndërtojmë një reformë që u shërben qytetarëve, jo zyrave të partive”, përfundoi Tabaku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related