Interpretimi për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetueses si Rama po përdor…

Data

Një tronditje e fortë ka përfshirë themelet e drejtësisë shqiptare pas vendimit të beftë të Gjykatës Kushtetuese për shkurtimin e mandateve të disa prej anëtarëve të saj. Me një veprim që ekspertët e quajnë “juridikisht absurd” dhe politikisht të orkestruar, kjo gjykatë ka vendosur të ndërpresë parakohe qëndrimin në detyrë të të paktën pesë gjyqtarëve. Në qendër të furtunës janë gjyqtaret Sonila Bejtja dhe Elsa Toska, mandatet e të cilave janë prerë tre vite para afatit kushtetues. Burime brenda institucioneve të larta flasin për një “skemë të përpunuar” të Edi Ramës, e cila, sipas opozitës, synon të vendosë nën kontroll absolut organin më të rëndësishëm të drejtësisë – Gjykatën Kushtetuese. Dhe instrumenti i kësaj manovre politike, siç thuhet, është Presidenti Bajram Begaj, i cilësuar nga kritikët si “bedeli” që firmos çdo urdhër të kryeministrit.

Prapaskenat

Vendimi, i marrë më 16 tetor 2025, pas kërkesës së Begajt për “interpretimin e mandateve”, ka shkaktuar valë reagimesh në qarqet juridike dhe politike. Juristë të njohur e kanë quajtur “harakiri institucional”, duke theksuar se Gjykata e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët. Në vend që të mbrojë pavarësinë e vet, ajo, sipas tyre, ka pranuar të bëhet “vegël ekzekutive” në duart e pushtetit. Në mënyrë të çuditshme, vendimi bie ndesh me qëndrimet e mëparshme të Kuvendit, ku vetë ministrja Spiropali kishte pranuar se mandati i gjyqtares Bejtja përfundon në vitin 2028. Tani, në një kthesë 180 gradëshe, presidenti dhe mazhoranca socialiste kërkojnë interpretim të ri. Opozita flet për një “grusht institucional” që synon të pastrojë Gjykatën nga zërat e pavarur dhe të instalojë figura të bindura ndaj qeverisë. Burime brenda opozitës paralajmërojnë se kjo është faza e fundit e “kapjes totale” të sistemit të drejtësisë, duke e kthyer Kushtetuesen në “zyrë noteriale të Ramës”. Në qendër të kësaj lufte është mandati i gjyqtares Sonila Bejtja, një juriste që, sipas shumë ekspertëve, ka qenë një nga zërat më të fortë dhe më të pavarur në trupën gjyqësore.

Tashmë, me një firmë presidenciale dhe një vendim të diktuar nga lart, ajo pritet të largohet në vitin 2025, tre vjet para kohe. Ky zhvillim, që pritet të ketë pasoja të gjera në sistemin e drejtësisë, është cilësuar si “shkatërrimi final i ekuilibrit institucional”. Analistët e shohin si sinjal se Rama po përgatitet për të pasur një Gjykatë Kushtetuese “të gatshme për çdo vendim”, përfshirë dhe ato që lidhen me proceset elektorale të ardhshme. Ndërkohë, opinion publik është përfshirë nga zemërimi dhe dyshimet për një marrëveshje të fshehtë mes kryeministrit dhe presidentit. “Kjo nuk është më drejtësi, por komandë politike”, shprehen analistë të njohur. Për shumëkënd, ky është akti i fundit i një plani që ka nisur prej kohësh: spastrimi i institucioneve të pavarura për të konsoliduar pushtetin e një njeriu të vetëm. Rama, i cili dikur fliste për “drejtësi të re”, po akuzohet sot se ka ndërtuar një drejtësi të nënshtruar. Në fund, pyetja që ngrihet është e thjeshtë, por tronditëse: a është ky fundi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri? Dhe nëse po, kush do të mbrojë Kushtetutën kur vetë gjykata e saj është vënë nën urdhër? Ky është interpretimi që po trondit institucionet, që po ndez zemërimin publik dhe që shumëkush e konsideron “grushtin më të rëndë ndaj shtetit ligjor që nga viti 1998”.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Në njoftimin publik, në fund të seancës, Gjykata Kushtetuese nuk ka folur për emra të përveç gjyqtarësh, megjithëse gjithçka lidhet me anëtarë specifikë. Nëpërmjet “gjuhës së drunjtë”, Gjykata Kushtetuese shprehet se: “Fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson”. Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese parashikon se skemë e “përtëritjes 3-vjeçare” duhet të zbatohej maksimalisht deri në vitin 2022. Por, Gjykata Kushtetuese, me vendimin më të fundit, i ka dhënë një interpretim tjetër atij neni. “…ka përcaktuar skemën kohore të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, duke parashikuar përtëritjen e parë me një të tretën në vitin 2025, përtëritjen e dytë me një të tretën në vitin 2028 dhe përtëritjen e tretë me një të tretën në vitin 2031”.

Loja “Sadushi-Begaj” për mandatet

Në janar të këtij viti, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e kohëzgjatjes së mandateve të anëtarëve të saj, nën frymën e parashikimit kushtetues të “përtëritjes 3-vjeçare”. Në kërkesën e Begajt, në të cilën nuk lidhej objekti me përshkrimin, gjithësesi dukej qartë se ai kishte si synim ndërprerjen e parakohshme të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, e emëruar në detyrë nga paraardhësi i tij, Ilir Meta. Kërkesa e kreut të Shtetit vinte pas një “sulmi” të hapur dhe publik që kishte nisur kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kundër Gjykatës Kushtetuese. Sadushi, në cilësinë e drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025, ka luajtur shumë fije, me qëllim që ai të kishte në dorë tre mandate të Gjykatës Kushtetuese. Ai arriti të ndërpresë mandatin e anëtares, njëkohësisht edhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e emëruar nga Gjykata e Lartë në vitin 2022.

Ndërkohë, me duart e Presidentit Begaj, Sadushi arriti të zbatojë “skenarin” e tij për të marrë në kontroll edhe dy mandate të tjera kushtetuese. Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese shpalli të përkohshëm mandatin e Sonila Bejtja, por edhe atë të gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Kjo e fundit ishte emëruar nga Parlamenti në vitin 2019 për një mandat të plotë. Toska dha dorëheqjen në shtator të vitit 2024 dhe Kuvendi nisi procedurat për plotësimin e vakancës. Sipas procedurës kushtetuese, pasardhësi i Elsa Toskës do të duhej të qëndronte në detyrë deri në fund të mandatit të saj, pra deri në vitin 2028. Por, me lëvizjen e fundit të Gjykatës Kushtetuese, mandati i Toskës u përfshi në “skemën e përtëritjes”, duke u konsideruar i përkohshëm. Në këtë mënyrë, pasardhësi i saj do të ketë mandat të plotë. Emri që do të marrë këtë mandat të plotë, do të jetë në duart e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të Sokol Sadushit. Partia Demokratike në opozitë e konsideroi kërkesën e presidentit Begaj për interpretimin e mandateve të Gjykatës Kushtetuese si një “ndërhyrje brutale në pavarësinë e Gjykatës”. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, e renditi këtë çështje në një listë prej 7 shkeljesh të rënda kushtetuese. Mbi bazën e këtyre pikave, opozita kërkon nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related