Kreu i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, dhe Avokati i Popullit, Endrit Shabani, janë përfshirë në një debat gjatë raportimit të këtij të fundit në Kuvend.
Përplasja nisi pasi Shabani deklaroi se vetëm 21 për qind e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen nga institucionet, një nivel që ai e cilësoi të pamjaftueshëm.
“Vetëm 21 për qind e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen. Nëse ju jeni të kënaqur me këtë performancë, unë nuk jam”, u shpreh Shabani.
Xhafaj kundërshtoi mënyrën e komunikimit të tij, duke i kërkuar të ndryshonte tonin.
“Duhet ta ndryshosh gjuhën, sepse po më flet sikur je kryetar partie dhe jo Avokat i Popullit”, deklaroi ai.
Shabani iu përgjigj se ishte në komision për të përfaqësuar institucionin që drejton dhe se komenti i Xhafajt nuk ishte i përshtatshëm.
“Kam ardhur të përfaqësoj institucionin tim. Ky koment nuk ju nderon. Nuk jam politikan”, tha ai.
“Ke qenë”, iu përgjigj Xhafaj, ndërsa Shabani e mbylli replikën duke theksuar se diskutimi nuk duhej të përqendrohej te e kaluara politike e secilit.
“Nuk kemi ardhur këtu të tregojmë çfarë kam bërë unë dhe çfarë keni bërë ju në të shkuarën”, deklaroi Avokati i Popullit.
