Presidenti i EDS nga Brukseli: Rinia shqiptare po frymëzon të gjithë Europën

Data

Presidenti i Studentëve Demokratë Europianë, Francesco Sismondini, i është bashkuar protestës së shqiptarëve në Bruksel, e zhvilluar paralelisht me tubimin e ditës së 46-të në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Sismondini shprehu mbështetje për protestuesit dhe e cilësoi rininë shqiptare si një burim frymëzimi për të rinjtë në Europë.

“Po lind një lëvizje e re në Europë dhe ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për të sjellë zërin e të rinjve europianë në mbështetje të popullit dhe rinisë shqiptare, e cila sot po na frymëzon”, deklaroi ai.

Sipas presidentit të EDS-së, të rinjtë europianë po përballen me sfida të ngjashme ndaj qeverive që ai i cilësoi autoritare.

“Përballemi me qeveri autoritare dhe me diktatura në çdo aspekt të jetës sonë. Sot rinia shqiptare po frymëzon të rinjtë europianë”, u shpreh Sismondini.

Ai përmendi gjithashtu vazhdimësinë e protestave në Shqipëri prej më shumë se 40 ditësh dhe falënderoi pjesëmarrësit për qëndresën e tyre.

Në përfundim të fjalës, Sismondini iu bashkua thirrjes së protestuesve “Rama ik”, duke deklaruar se po përcillte mbështetjen e rinisë europiane për lëvizjen qytetare shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related