Gjykata e Posaçme ka vendosur të thërrasë pesë dëshmitarë të tjerë në procesin për dosjen “Partizani”. Seanca e radhës është caktuar më 20 korrik, në orën 11:00, ndërsa mes personave që pritet të dëshmojnë është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Emri i Mediut përmendet në dosjen hetimore për procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pak ditë më parë, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, deklaroi në GJKKO se dikasteri që ai drejtonte kishte pasur rol mbikëqyrës, ndërsa vendimmarrja për privatizimin i përkiste Ministrisë së Mbrojtjes, si institucioni që administronte pronën.
Sipas dëshmisë së Rulit, Ministria e Mbrojtjes e kishte njoftuar fillimisht se kompleksi ishte jashtë planit të përhapjes së Forcave të Armatosura dhe më pas kishte konfirmuar se do të procedohej me privatizimin.
SPAK pretendon se ish-kryeministri Sali Berisha përdori ndikimin politik dhe institucional për të përshpejtuar procedurat dhe për të favorizuar interesat pasurore të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Sipas akuzës, Malltezi përfitoi të ardhura prej të paktën 5.4 milionë eurosh nga projekti i ndërtimit në territorin e ish-kompleksit.
Në dosje përmenden ndryshime ligjore, vendime të Këshillit të Ministrave dhe veprime të institucioneve shtetërore që, sipas SPAK-ut, krijuan kushtet për kthimin e pronës, privatizimin e objekteve dhe ndryshimin e destinacionit të zonës nga sportive në zonë banimi.
Prokuroria pretendon se procedurat u trajtuan me përparësi nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe se gjatë procesit u kryen shkelje në ekspertiza, regjistrimin e pronës dhe përcaktimin e vlerës së objekteve. Në dosje ngrihen gjithashtu dyshime se disa zyrtarë të përfshirë në procedura kanë përfituar apartamente nga kompanitë e lidhura me zhvillimin e zonës.
Një pjesë tjetër e hetimit lidhet me ndryshimet në ligjin për sportin dhe me vendimin që lejoi privatizimin e terreneve sportive nga pronarët e truallit. SPAK pretendon se ndryshimet u përdorën për të hequr pengesat ligjore që ekzistonin për privatizimin e kompleksit.
Në dosje përmendet edhe rasti i ish-ushtarakut Vladimir Qirjazi, i cili kishte refuzuar për disa vite të firmoste dokumentet e privatizimit. Sipas prokurorisë, ndaj tij u ushtruan kontrolle dhe masa administrative, ndërsa pas largimit nga detyra procedurat u përfunduan me shpejtësi nga drejtuesi që e zëvendësoi.
Pretendimet e SPAK-ut do të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor. Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë deklaruar se çështja është e motivuar politikisht.
