Britania e Madhe duket e vendosur për të mbështetur Shqipërinë në fusha si ekonomia, politika dhe drejtësia, ndërsa është shfaqur e shqetësuar për faktin që korrupsioni vazhdon të depërtojë në çdo sektor publik dhe privat në vendin tonë. Ka qenë ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, i cili u ka bërë thirrje qeverisë dhe institucioneve të ndërmarrin hapa më të mëdha për të luftuar korrupsionin. Ndër të tjera, ambasadori King-Smith, ripërsëriti edhe njëherë faktin se Londra zyrtare mbështet fuqishëm reformën në drejtësi. “Shqipëria duhet ta pranojë se korrupsioni vazhdon të depërtojë sektorët publikë dhe privatë në shoqëri dhe të ndërmarrë hapa më të mëdha për t’iu kundërvënë. Jo sepse partnerët ndërkombëtare, si ne janë të shqetësuar, por sepse kjo është thelbësore për vetë zhvillimin e Shqipërisë. Dhe ne duhet të garantojmë, ndërkohë që reforma në drejtësi vazhdon, të jenë vetë institucionet të inkurajuar si aktorë të pavarur, të formëzojnë fazën tjetër.
Angazhimi, krahas këtyre institucioneve në reformën e mëtejshme duhet të konsiderohet me shumë kujdes ose mund të rrezikojë të dëmtojë përparimin që është bërë. I inkurajoj institucionet të paraqesin propozimet për fushat që ata kërkojnë më shumë mbështetje ose ku shohin se ndryshimet mund të zgjerojnë, jo kufizojnë shtetin e së drejtës”, deklaroi diplomati Alastair King-Smith. Kujtojmë se dje ambasadori britanik, Alastair King-Smith iu bashkua përfaqësuesve nga institucionet qeverisëse, organeve të drejtësisë penale, organizatave ndërkombëtare, akademikëve dhe shoqërisë civile për të trajtuar objektivat e përbashkëta të luftës kundër korrupsionit dhe kulturës së pandëshkueshmërisë si dhe forcimit të llogaridhënies. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet një përpjekje e përbashkët dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve që t’i vendosin institucionet e pavarura në qendër të reformave të mëtejshme. Konferenca dy-ditore me temë “Forcimi i Llogaridhënies: Fuqizimi i Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor” u organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin, në bashkëpunim me Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ambasadori britanik: Kemi ndëshkuar individë, jo bashkëpunim me ‘non-grata’
Ndërkohë pak javën që shkoi ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King Smith deklaroi se parlamenti në vend duhet të jetë funksional. Në një intervistë, Smith u shpreh se politikanët shqiptarë duhet të punojnë për interesin qytetar. Smith shtoi se Britania e Madhe ka sanksionuar individë të caktuar dhe konfirmoi se me ta nuk do të ketë bashkëpunim. “Është shumë e rëndësishme që parlamenti të funksionojë në interes të demokracisë dhe të qytetarëve. Kjo është përgjegjësi e opozitës, edhe gjithashtu e shumicës. Është e rëndësishme që të gjithë politikanët të punojnë së bashku me këtë qëllim. Kuvendi është institucioni kyç për të çuar përpara interesin qytetar. Kuvendi dhe komisionet duhet të funksionojnë. Ne kemi qasje të gjerë, nuk përcaktojmë grupe individësh. Ka vendime specifike për individë specifikë dhe për ata nuk angazhohemi. Me të tjerët duam dialog, duam angazhim. Nuk më përket mua të shprehem për politikën e brendshme. Nuk do të komunikoj në emër të listës së personave “non grata”. Nuk mund të komentoj. Pozicioni ynë është shumë i qartë. Vendimet për “non grata” janë specifike për individë, nuk janë për grupime. Kemi angazhim me individë që nuk janë të përcaktuar të tillë”, nënvizoi ambasadori i Britanisë në Shqipëri, Alastair King-Smith.
