Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar në Kuvend shtyrjen e diskutimit për ndryshimet në Kodin Rrugor, pas aksidentit tragjik në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë të mitur.
Gjatë seancës plenare, Balla deklaroi se dy deputetë socialistë kanë depozituar amendamente të reja që synojnë forcimin e masave parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas tij, nevojitet më shumë kohë për shqyrtimin e propozimeve dhe për arritjen e një konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës.
“Nisur nga diskutimet e ditës së hënë dhe nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, dy deputetë të PS kanë depozituar amendamente për marrjen e masave parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve të papërgjegjshëm. Kërkojmë shtyrjen e diskutimit të kësaj çështjeje me qëllim që të kemi konsensus të plotë”, deklaroi Balla.
Ai shtoi se në procesin e diskutimit duhet të përfshihen edhe deputetët e opozitës, komisionet parlamentare dhe ministritë përkatëse.
Debati për ndryshimet në Kodin Rrugor është intensifikuar pas aksidentit fatal në Durrës, ku një automjet përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një tjetër, duke shkaktuar reagime të forta publike dhe kërkesa për masa më të ashpra ndaj shkelësve të ligjit.
