Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar për situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se përfaqësuesit e kompanisë së tij, MABCO Construction S.A., nuk kanë marrë ende kontrollin e projektit, pavarësisht vendimeve gjyqësore që, sipas tij, i kanë dhënë të drejtë kompanisë.
Pacolli tha se MABCO, si investitori dhe financuesi kryesor i projektit, ka angazhuar burime të konsiderueshme financiare dhe profesionale, por përfundimi i punimeve, certifikimi dhe vënia në funksion e aeroportit po pengohen nga veprime dhe mosveprime që kompania i konsideron të paligjshme.
Sipas tij, ekspozimi financiar i MABCO-s në këtë projekt tejkalon 320 milionë euro, ndërsa zvarritja e situatës rrezikon jo vetëm investimin, por edhe ekonominë shqiptare, qytetarët dhe reputacionin e vendit përballë investitorëve të huaj.
Pacolli i bëri thirrje SPAK-ut që të nisë një hetim të plotë dhe të pavarur për të verifikuar pretendimet e kompanisë lidhur me falsifikimin dhe përdorimin e dokumenteve, ndërhyrjet e paligjshme në proceset gjyqësore dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë.
“MABCO i bën edhe një herë thirrje SPAK-ut që të ndërmarrë një hetim të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës çdo person që mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj situate”, deklaroi ai.
Biznesmeni ngriti akuza edhe ndaj gjyqtares Miranda Nakaj, duke pretenduar se një vendim i saj ka qenë shkaku kryesor i bllokimit të punimeve dhe i pasojave ekonomike, teknike dhe juridike për projektin.
Pacolli theksoi se, nëse nga hetimet provohen shkelje ligjore ose ndikime të jashtme në vendimmarrje, përgjegjësia duhet të shtrihet në planin disiplinor, civil dhe penal.
Pretendimet e Pacollit dhe të kompanisë MABCO mbeten akuza të palës së interesuar dhe duhet të verifikohen nga organet kompetente. Kompania deklaron se mbetet e angazhuar për përfundimin e aeroportit në përputhje me kontratën, ligjin dhe standardet ndërkombëtare.
