Mbështetja e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, për protestat që vijojnë prej 46 ditësh në Tiranë, ka marrë jehonë edhe në mediat gjermane.
Portali i njohur Stern.de shkruan se artistja e konsideron shqetësuese mundësinë që një qeveri të ndryshojë ligjin për të anashkaluar rregullat për mbrojtjen e mjedisit.
“E gjej shumë frymëzuese të shoh se sa shumë njerëzit kujdesen për këtë kauzë. Ekonomia e vendit duhet të ndërtohet në një mënyrë që u sjell dobi njerëzve”, është shprehur Dua Lipa gjatë një bisede në podcastin Service95 Book Club me shkrimtaren Lea Ypi.
Deklarata e këngëtares lidhej me kundërshtimet ndaj projektit turistik në zonën e Zvërnecit dhe me shqetësimet për ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura.
Në artikullin e saj, media gjermane thekson se prej javësh mijëra qytetarë protestojnë çdo mbrëmje në rrugët e Tiranës, ndërsa kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe tashmë përfshijnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Për javë të tëra, mijëra demonstrues kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Tiranës, çdo mbrëmje. Kryeministri Edi Rama është bërë gjithashtu një shënjestër e protestuesve”, shkruan Stern.
Media ndalet edhe te strategjia e qeverisë shqiptare për zhvillimin e ekonomisë përmes turizmit, si dhe te investimet e familjes Trump dhe të Jared Kushner në projekte luksoze ndërkombëtare.
Në artikull përmenden gjithashtu kritikat ndaj lidhjeve mes politikës dhe interesave të biznesit, ndërsa mbështetja e Dua Lipës paraqitet si një zhvillim që i ka dhënë më shumë vëmendje ndërkombëtare protestave në Shqipëri.
