Protestat kundër projektit turistik në Sazan dhe Zvërnec kanë marrë vëmendjen e medias britanike The Guardian, e cila i ka kushtuar një artikull mbështetjes së shprehur nga këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Sipas gazetës, lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove” ka fituar një nga mbështetëset e saj më të njohura, pasi artistja vlerësoi publikisht qytetarët që kundërshtojnë projektin e resortit të mbështetur nga investitorë të udhëhequr nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Gjatë një bisede me akademiken dhe shkrimtaren Lea Ypi në podcastin Service95 Book Club, Dua Lipa i cilësoi protestat si frymëzuese.
“E gjej shumë frymëzuese të shoh se sa shumë njerëz interesohen vërtet”, u shpreh këngëtarja.
Artistja ngriti gjithashtu shqetësime për ndryshimet në legjislacionin shqiptar për zonat e mbrojtura, duke theksuar se çështja shkon përtej projektit konkret.
“Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, deklaroi Dua Lipa.
The Guardian shkruan se projekti, me një vlerë të raportuar prej rreth 1.6 miliardë eurosh, parashikon zhvillime turistike në ishullin e Sazanit dhe në gadishullin e Zvërnecit, zona të konsideruara të rëndësishme për biodiversitetin.
Në artikull përmenden edhe kritikat e organizatave mjedisore dhe shqetësimet e ngritura nga eurodeputetë për respektimin e standardeve mjedisore në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Drejtuesi i organizatës PPNEA, Aleksandër Trajçe, e cilësoi reagimin e Dua Lipës si një mbështetje të rëndësishme për protestuesit.
“Ishte një deklaratë shumë e fuqishme. Shumë të rinj shqiptarë, që e shohin Dua Lipën si një idhull, janë frymëzuar”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur projektin si një investim të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, ndërsa zhvilluesit kanë deklaruar se ai do të realizohet duke respektuar mjedisin dhe interesat e komuniteteve lokale.
