“Ju erdhi fundi”/ Protesta hyn në ditën e 46-të, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Data

Qytetarët pritet të rikthehen sot në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të ditës së 46-të të protestave kundër qeverisë.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përsëriten kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protesta nisi fillimisht si reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec, por më pas u zgjerua në një lëvizje me kërkesa politike, kushtetuese dhe institucionale. Në tubime kanë marrë pjesë qytetarë të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme, të pajisur me pankarta dhe flamuj kombëtarë.

Gjatë marshimit të një dite më parë u dëgjuan thirrje si “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”.

Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore. Ato përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike jopartiake me mandat 12-mujor dhe ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese që do t’i nënshtrohen referendumit.

Mes propozimeve janë edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, rishikimi i rregullave për financimin e partive politike dhe kufizimi i detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Gjithashtu kërkohet anulimi i ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paketës së Maleve dhe i kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Kërkesa e fundit lidhet me hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe përfaqësues apartiakë të propozuar nga protestuesit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related