Gjithmonë kur flitet për oligarkun e Samir Mane, shtypi ose i thur lavde ose udhëzon njerëz që të sulmojnë të gjithë ata që vënë në dyshim burimet e pasurisë së tij, të shuajnë skandalet ku i del emri, apo dhe të fshehë çdo informacion ku drejtësia futet për ta hetuar për çështje të ndryshme. Në momentin kur “Nisma Thurje” denoncoi në shtator të vitit të kaluar në SPAK skandalin e Portit të Vlorës, askush nuk ia përmendi emrin Samir Manes. Pas denoncimit, gazeta “SOT” kontaktoi me personazhin kryesor dhe të guximshëm që denoncoi këtë aferë, Endri Shabanin, ku ai u shpreh se nëse kjo çështje hetohet siç duhet, do të përsëritet afera e “Sterlizimit” që u hap në SPAK pikërisht nga “Nisma Thurje”. Te Porti i Vlorës do të fundosen politikanë, si edhe biznesmenë, ku një nga ata është Samir Mane. Sipas Shabanit, këtë herë llogari përpara prokurorisë duhet të japin jo vetëm ministrat, por edhe Edi Rama, që është kryetar i komitetit të investimeve strategjike.
“Në dosjen që ne kemi dorëzuar në SPAK janë të përfshirë dy palë: përfaqësuesit e shtetit dhe përfaqësuesit e privatëve. Për mendimin tonë ky rast mund të përfaqësojë xhevahirin më të shndritshëm të simbiozës korruptive qeveri-oligarki. Nëse ju kujtohet në rastin e kallëzimit tonë të parë, atë të koncesionit të sterilizimit, ku pas hekurave përfunduan jo vetëm zyrtarët e lartë, por edhe biznesmenët e përfshirë. Prandaj besoj që edhe këtë herë llogari përpara prokurorisë duhet të japin jo vetëm ministrat, por edhe Edi Rama, që është kryetar i komitetit të investimeve strategjike, sikurse edhe biznesmenët që kanë përfituar nga pasuria publike, dhe Samir Mane nuk ka asnjë arsye përse të përjashtohet nga kjo listë, pasi është një nga përfituesit kryesorë, por jo i vetmi”, ka thënë Endri Shabani.
Detaje nga kallëzimi
Nisma Thurje kërkoi nisjen e hetimit për zyrtarët e lartë publik të përfshirë në procedurat e miratimit të koncesionit të portit Marina Vlorës, si dhe të procedurave për dhënien e statusit investitor strategjik për Marina di Valona, duke përfituar transferimin e 57 mijë metrave katrorë truall publik në zonën pranë portit të Vlorës. Aty ngrihen dyshime se procedurat e dhënies së koncesionit për portin Marina Vlorë nga ana e Belinda Ballukut, si dhe dhënia e 57 mijë metra katrorë truall në pronësi publike janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur barazinë në tendera dhe ka dëmtuar interesat e shtetit. Në këtë skandal është përfshirë edhe Ministria e Financave, ku përmes veprimeve dhe mosveprimeve të saj ka lejuar ndryshimin e aksionerëve që kanë fituar tenderin, duke ngritur dyshimet mbi një skemë me përfitues të fshehtë, ku disa kompani hyjnë në garë fiktivisht vetëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara ekonomike, teknike dhe të eksperiencës, por largohen me të përfunduar procedurat konkurruese, duke ia lënë administrimin përfituesit real.
“Shpallja fitues i tenderit për koncesionin e portit trajtohet si kusht për përfitimin e kontratës së qirasë simbolike 1 euro për truallin publik pranë portit të Vlorës. Por nisur nga koha e shpalljes së kësaj kontrate dhe dokumentet e tenderit, ngrihet dyshimi se ky informacion nuk ka qenë i ditur për të gjithë operatorët e interesuar, të cilët në kushtet e një informacioni më të plotë do të mund të kishin paraqitur ofertat e tyre në këtë tender. Duke vepruar në kundërshtim me parashikimet ligjore, këtu mund të jetë shkelur barazia e pjesëmarrjes në tendera publike, si dhe t’i jetë shkaktuar dëm interesave të ligjshëm të shtetit.
Së dyti, nisur edhe nga koinçidimi i dy kontratave në kohë, vlen për tu hetuar nëse operatorët e përfshirë në këtë tender publik kanë patur informacion të privilegjuar mbi rrethanat e plota të tenderit, çka përbën vepër penale. Së treti, duhet hetuar nëse veprimet e ndryshimit të pronësisë së subjektit Marina Residences, bien ndesh me dispozitat e Ligjit 125/2013. Së treti, vlen për tu hetuar kush kanë qenë motivet që i kanë shtyrë zyrtarët publik të përfshirë në këto procedura që të mos shpallin një tender të ri kur ndryshuan kushtet e tenderit, ndryshuan tekstin kontratave të miratuara, dhe lejuan ndryshimin e pronësisë së operatorëve të përfshirë në tender. Një hetim i tillë do të mund të vërtetojë nëse janë kryer veprat penale të korrupsionit,” thuhet ndër të tjera në padinë e “Nismës Thurje”.
Korrupsioni galopant
Në këtë kallëzim përmenden vetëm procedurat e miratimit të koncesionit të portit. Nëse i hyhet hetimit me themel, del se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm marramendës. Edi Rama me firmën e tij i ka dhënë oligarkut Samir Mane benefite shumë të mëdha me Portin e Vlorës, duke përdorur ligjin kontravers të miratuar me debate në vitin 2015, i cili i lejon qeverisë, përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Përveç kësaj afere, kontrata e famshme e koncesionit të Portit të Vlorës është e mbushur me favorizime për biznesmenin Mane dhe e blinduar në nenet e saj me gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit në raste konfliktesh.
Sipas kontratës, për 22 milionë eurot që shteti e detyron Samir Manen të investojë në Portin e Vlorës, biznesmeni përfiton gjithashtu edhe nga mbrojtja ligjore që i jep statusi i investitorit strategjik. Çfarë do të thotë? Në çdo proces gjyqësor që mund të ngrenë palë të treta për koncesionin, Samir Mane duhet të mbrohet nga shtetit shqiptar. Kontrata i lë atij “vetëmbrojtjen” vetëm në rastet kur konflikti është me persona, apo kompani me pronat kufitare. Favorizimet nuk mbyllen me kaq. Po me statusin e investitorit strategjik ai përfiton nga taksat e reduktuara, përparësitë në lejet zhvillimore dhe lehtësi të tjera që i njeh ligji me anë të të cilit është shpallur një investitor i tillë. Por jo vetëm kaq.
