Spiropali dënon deklaratat e ministres serbe: “Ky është barbarizëm verbal”

Data

Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Përmes një reagimi publik, Spiropali e cilësoi deklaratën si të papranueshme, duke theksuar se është e paimagjinueshme që një përfaqësuese e një shteti që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian të glorifikojë krimet ose të shprehë keqardhje që ato nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha.

Sipas saj, deklarata të tilla bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa dhe kërkojnë përgjegjësi politike, institucionale dhe morale.

Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit:

“E pabesueshme të dëgjosh nga një ministre e një qeverie të një vendi që aspiron integrimin europian të shprehë pa asnjë drojë keqardhjen se në Kosovë nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar. Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet.

Ky nuk është mendim politik.

Ky është barbarizëm verbal.

Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane; duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, por mbi të gjitha njerëzore.

Kosovës nuk ia fali kush lirinë. Kosova lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar.

Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, e më së shumti ia rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related