Itali/ Vrasja e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila, nëna e saj: “Nuk do ta fal kurrë vrasësin dhe as nënën e tij”

Data

Morena Corbellini, nëna e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila, ka reaguar pasi ish-i dashuri i vajzës së saj pranoi në Gjykatën e Apelit se ishte ai që e shtyu nga ballkoni i një pallati në Piacenza, më 25 tetor 2024. I mituri, i dënuar me 17 vite burg në shkallën e parë, ndryshoi dëshminë e tij pas gati dy vitesh dhe kërkoi falje për krimin.

Në një intervistë për mediat italiane, Corbellini e cilësoi rrëfimin si një përpjekje për të përfituar ulje dënimi dhe deklaroi se nuk beson në pendesën e tij.

“Ka qenë një zgjedhje shumë dinake. Fillimisht zgjodhi gjykimin e shkurtuar duke deklaruar se ishte i pafajshëm. Më pas, pas gati dy vitesh, pranoi krimin dhe kërkoi falje. E bëri me shpresën se do të përfitonte një ulje të dënimit”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse kërkimfalja ishte e sinqertë, nëna e Aurorës u përgjigj:

“Jo. Nuk ishte aspak e sinqertë. Ishte krejtësisht e sajuar. Në fytyrën e tij nuk pashë asnjë shenjë pendese. Madje, disa herë shikonte avokatin për të kuptuar se cilat ishin fjalët e duhura që duhej të thoshte.”

Corbellini theksoi se nuk do ta falë kurrë autorin e krimit.

“Jo, nuk do ta fal kurrë. Vetëm Zoti mund të falë një gjë të tillë dhe unë nuk jam Zoti. Nuk do ta fal as atë dhe as nënën e tij, e cila e dinte gjithçka që në fillim dhe nuk më tha asgjë. Një nënë, nëse është vërtet nënë, duhet të tregojë atë që di dhe të mos gënjejë përballë dhimbjes.”

Ajo tha se nuk ka besuar asnjëherë versionin se vajza e saj mund të kishte kryer vetëvrasje.

“Nuk kam menduar asnjëherë se Aurora ishte vetëvrarë. Ajo kishte shumë dëshirë për të jetuar.”

Duke kujtuar momentin kur dëgjoi rrëfimin në sallën e gjyqit, Corbellini tha se zgjodhi të heshtte.

“Qëndrova në heshtje. Një heshtje që tregonte se që në fillim kisha pasur të drejtë. Shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të mos i ulet dënimi.”

Sipas saj, edhe dënimi prej 17 vitesh burg është i pamjaftueshëm.

“Edhe 17 vjet burg më duken pak. Ai zgjodhi gjykimin e shkurtuar për të ulur dënimin dhe tani po përpiqet të përfitojë edhe më shumë. Më duket një djalë shumë i paqëndrueshëm.”

Në fund të intervistës, nëna e Aurorës foli për dhimbjen që vazhdon të përjetojë.

“Ajo ishte jeta ime, gjithë ekzistenca ime. Më mungon pafund. Shpresoj gjithmonë ta shoh, ta dëgjoj, por kjo nuk është më e mundur. Jeta pa Aurorën time nuk është jetë. E vetmja gjë që mund të bëj është të vazhdoj përpara dhe të luftoj për të.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related